A ju kujtohet?
A ju kujtohet?
A jeni kënaqur duke lexuar numrat e fundit të Kullës së Rojës? Atëherë, provoni nëse mund t’u përgjigjeni pyetjeve vijuese:
• Pse mund të besojmë se kopshti i Edenit ishte një vend i mirëfilltë?
Bibla e pëshkruan si të mirëfilltë, duke dhënë edhe informacione specifike për vendndodhjen e tij. Dy nga lumenjtë që përmenden në tregim, ekzistojnë ende sot. Mitet dhe përrallat nuk japin hollësi të tilla. Jezui, që është Dëshmitari më i besueshëm, i përmendi Adamin dhe Evën si njerëz realë.—1/1, faqet 5-6, 9.
• A e dinte Perëndia se Adami dhe Eva do të mëkatonin?
Jo. Jehovai i krijoi me inteligjencë dhe vullnet të lirë, duke u dhënë mundësi të zgjidhnin nëse do të bindeshin ose jo. Ndonëse ka aftësinë për t’i ditur gjërat që më përpara, Perëndia zgjedh se kur ta përdorë këtë aftësi.—1/1, faqet 13-15.
• A e përdorin të krishterët e vërtetë emrin e Perëndisë si hajmali?
Disa njerëz e shohin ndonjë objekt a simbol si hajmali që i mbron në mënyrë magjike, mirëpo shërbëtorët e Perëndisë nuk e konsiderojnë kështu emrin e tij. Ata kanë besim te Jehovai dhe përpiqen të kryejnë vullnetin e tij, duke gjetur kështu strehë tek emri i tij. (Sof. 3:12, 13)—15/1, faqet 5-6.
• Cilët përfitonin në Izrael nga zakoni i mbledhjes së prodhimeve të mbetura?
Të gjithë. I nxiste të varfrit, ata që duhej të mblidhnin, të ishin të papërtueshëm. Të tjerët nxiteshin të ishin bujarë dhe të mbështeteshin te bekimet e Perëndisë.—1/2, faqja 15.
• Pse e hodhi poshtë Jehovai mbretin Saul?
Mbreti Saul duhej të priste profetin e Perëndisë për të paraqitur flijimin, por nuk u bind dhe e paraqiti vetë. Më vonë, nuk iu bind urdhrit për të shfarosur një popull armik.—15/2, faqet 22-23.
• Si mund të tregojmë se e urrejmë paligjshmërinë?
Duke mos u bërë skllevër të alkoolit, duke shmangur okultizmin dhe duke i vënë veshin paralajmërimit të Jezuit për imoralitetin. Për shembull, do të shmangim pornografinë dhe fantazirat që mund të ngjallë ajo. (Mat. 5:27, 28) Po ashtu, nuk do të shoqërohemi me të përjashtuarit.—15/2, faqet 29-32.
• Pse ia vlen të përmendet gjetja e koshereve antike nga arkeologët në Izraelin e sotëm?
Arkeologët kanë gjetur më shumë se 30 koshere, që sipas studiuesve prodhonin gjysmë ton mjaltë çdo vit. Kjo tregon se bletaria ishte një zanat që ushtrohej në vendin ku Perëndia kishte thënë se ‘do të rridhte qumësht dhe mjaltë’. (Dal. 3:8)—1/3, faqja 15.
• Në ç’kuptim Jeremia ishte si një pemë ‘e mbjellë pranë ujërave, që lëshon rrënjë’? (Jer. 17:7, 8)
Ai kurrë nuk reshti së dhëni fryt; as nuk lejoi të ndikohej nga tallësit. Përkundrazi, qëndroi pranë Burimit të ujit jetëdhënës dhe mori për zemër gjithçka që i tha Perëndia.—15/3, faqja 14.
• Çfarë donte të theksonte Jezui, kur i tha Martës se vetëm pak gjëra janë të nevojshme ose vetëm një? (Luka 10:41, 42)
Ai nuk po e quante materialiste ngaqë po përgatiste gjellëra të ndryshme; as po hidhte poshtë punën e saj të palodhur. Përkundrazi, po theksonte përparësitë. Marta nuk po përfitonte nga ajo mundësi unike për të thelluar besimin e saj.—1/4, faqet 12-13.
• Cilat ishin disa veprime të paligjshme gjatë procesit gjyqësor të Jezuit?
Gjykata nuk dëgjoi asnjë argument shfajësimi. Kërkuan dëshmitarë të rremë. Çështja u shqyrtua natën. Gjyqi nisi dhe mbaroi brenda ditës.—1/4, faqja 20.