Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nëntëdhjetë vjet më parë, fillova ‘të kujtoj Krijuesin tim të Madh’

Nëntëdhjetë vjet më parë, fillova ‘të kujtoj Krijuesin tim të Madh’

Nëntëdhjetë vjet më parë, fillova ‘të kujtoj Krijuesin tim të Madh’

Treguar nga Edvin Rixhuelli

DITËN e armëpushimit, më 11 nëntor 1918, fëmijët e shkollës sime u mblodhën papritur për të festuar mbarimin e Luftës së Madhe, që më vonë u quajt Lufta I Botërore. Isha vetëm pesë vjeç dhe nuk e kuptoja tamam rëndësinë e rastit. Por mbaj mend se, nga ato që më kishin mësuar prindërit për Perëndinë, nuk doja të merrja pjesë në atë ceremoni. Iu luta Perëndisë, por s’munda t’i kontrolloja më emocionet dhe fillova të qaja. Megjithatë, nuk mora pjesë në ceremoni. Kështu fillova ‘të kujtoja Krijuesin tim të Madh’.—Ekl. 12:1.

Disa muaj para kësaj ngjarjeje në shkollë, familja jonë ishte transferuar afër Glasgout në Skoci. Pak a shumë në atë kohë, babai ndoqi fjalimin publik me titull «Miliona që jetojnë tani nuk do të vdesin kurrë». Ky fjalim i ndryshoi jetën. Babai dhe mamaja filluan të studionin Biblën dhe shpesh flisnin së bashku për Mbretërinë e Perëndisë dhe për bekimet që do të vinin. Falënderoj Perëndinë që, qysh nga ajo kohë prindërit më mësuan ta doja Perëndinë dhe të kisha besim tek ai.—Prov. 22:6.

Filloj shërbimin në kohë të plotë

Kur isha 15 vjeç, m’u dha mundësia të vazhdoja arsimin e lartë, por dëshiroja shumë të shërbeja në kohë të plotë. Babai mendonte se isha shumë i vogël, kështu që punova në një zyrë për ca kohë. Por, dëshira ime për t’i shërbyer Jehovait në kohë të plotë ishte kaq e fortë, sa një ditë i shkrova një letër Xh. F. Radhërfordit, i cili në atë kohë mbikëqyrte veprën mbarëbotërore të predikimit. E pyeta se çfarë mendonte për planet e mia. Vëlla Radhërfordi më shkruante në letrën e tij: «Nëse nuk je i vogël për të punuar, nuk je as për shërbimin e Zotërisë. . . . Besoj se Zotëria do të të bekojë nëse përpiqesh t’i shërbesh atij me besnikëri.» Ajo letër që mbante datën e 10 marsit 1928, ndikoi thellë te familja ime. Pa kaluar shumë kohë, babai, mamaja, motra e madhe dhe unë filluam shërbimin në kohë të plotë.

Më 1931, në një kongres në Londër, vëlla Radhërfordi bëri thirrje për vullnetarë që të përhapnin lajmin e mirë në vende të tjera. Unë dola vullnetar dhe bashkë me Endrju Xhekun më caktuan në Kaunas, në atë kohë kryeqyteti i Lituanisë. Isha vetëm 18 vjeç.

Predikoj mesazhin për Mbretërinë jashtë vendit

Në atë kohë, Lituania ishte një vend bujqësor i varfër dhe predikimi në fshatra përbënte një sfidë. Ishte e vështirë të gjenim shtëpi ku të banonim dhe disa prej tyre na mbetën gjatë në mendje. Për shembull, një natë mua dhe Endrjut na doli gjumi se nuk ndiheshim mirë. Pasi ndezëm llambën me vaj, pamë që krevatin e kishin mbuluar me qindra çimka. Na kishin pickuar nga koka te këmbët. Për një javë, çdo mëngjes më duhej të futesha deri në grykë në një lumë të ftohtë aty afër, që të më lehtësoheshin dhembjet. Pavarësisht nga kjo, ishim të vendosur të mos e ndërpritnim shërbimin. Pak më pas, problemi i strehimit u zgjidh kur takuam një çift të ri që kishin pranuar të vërtetën e Biblës. Ata na morën në shtëpinë e tyre të vogël, por të pastër. Flinim me qejf mbi dysheme dhe çfarë lehtësimi që ishte!

Në Lituani, në ato kohë mbizotëronin Kisha Katolike Romake dhe ajo Ortodokse Ruse. Vetëm të pasurit mund të blinin një Bibël. Qëllimi ynë kryesor ishte të predikonim sa më shumë territor të ishte e mundur dhe t’u linim sa më shumë literaturë biblike të interesuarve. Në fillim, gjenim strehim në qytet. Pastaj, me kujdes predikonim pjesën e periferisë dhe pas kësaj predikonim me shpejtësi brenda në qytet. Në këtë mënyrë, zakonisht mund të arrinim të mbaronim punë para se priftërinjtë të na hapnin probleme.

Një trazirë që dha dëshmi

Në vitin 1934, Endrju u caktua të punonte në zyrën e degës në Kaunas dhe si shok shërbimi pas tij kisha Xhon Sempen. Patëm ca përvoja të paharrueshme. Një ditë shkova në zyrën e një avokati në një qytet të vogël. Ai u nevrikos, nxori një pistoletë nga sirtari dhe më urdhëroi të ikja. U luta në heshtje dhe më erdhi ndër mend këshilla biblike: «Përgjigjja e butë e largon tërbimin.» (Prov. 15:1) Prandaj i thashë: «Unë erdha si mik për t’ju dhënë një lajm të mirë, dhe faleminderit që u përmbajtët.» E hoqi gishtin nga këmbëza e pistoletës dhe unë dola me terezi nga zyra e tij, pa i kthyer kurrizin.

Kur u takova me Xhonin, më tha se edhe ai kishte pasur një përvojë jo të mirë. E kishin çuar në rajonin e policisë ngaqë e kishin akuzuar pa të drejtë se i kishte vjedhur një kartëmonedhë me vlerë të madhe një gruaje që kishte takuar. Në rajon, Xhonin e kishin kontrolluar në imtësi, duke i hequr edhe rrobat. Sigurisht, ai nuk e kishte kartëmonedhën. Më vonë e kapën hajdutin e vërtetë.

Këto dy ngjarje krijuan trazira në atë qytet në përgjithësi të qetë dhe bënë që të jepej mjaft dëshmi për veprën tonë!

Veprojmë në fshehtësi

Një caktim i rrezikshëm për ne ishte të çonim literaturë biblike në Letoninë fqinje, ku vepra e predikimit ishte e ndaluar. Rreth një herë në muaj, udhëtonim me tren natën për në Letoni. Ndonjëherë, pasi linim literaturën, vazhdonim udhëtimin për në Estoni për të marrë më shumë literaturë e për ta lënë në Letoni gjatë rrugës së kthimit.

Njëherë, një doganier kishte marrë vesh për veprimtarinë tonë dhe na kërkoi që të zbrisnim nga treni e ta çonim literaturën tek eprori i tij. Xhoni dhe unë iu lutëm Jehovait për ndihmë. Për çudi, doganieri nuk i tha eprorit të tij se çfarë po transportonim, por i tha vetëm: «Këta burra kanë për të deklaruar diçka.» Unë «deklarova» se kisha literaturë që do t’i ndihmonte njerëzit në shkolla dhe universitete të kuptonin domethënien e asaj që po ndodhte në botën tonë shumë të trazuar. Doganieri na bëri me dorë të kalonim dhe kështu arritëm ta çonim literaturën në vend.

Kur situata politike në shtetet baltike u keqësua, kundërshtimi ndaj Dëshmitarëve u rrit dhe vepra jonë e predikimit u ndalua edhe në Lituani. Endrju dhe Xhoni u dëbuan dhe me afrimin e Luftës II Botërore, të gjithë nënshtetasit britanikë u këshilluan të largoheshin. Edhe unë u largova, ndonëse i mërzitur.

Privilegje dhe bekime në Irlandën e Veriut

Në atë kohë, prindërit e mi ishin transferuar në Irlandën e Veriut dhe më 1937, shkova të jetoja me ta. Literatura jonë ishte ndaluar edhe në Irlandën e Veriut ngaqë njerëzit i kishte pushtuar histeria e luftës, por ne vazhduam të predikonim edhe gjatë saj. Pas Luftës II Botërore, mund ta vazhdonim përsëri veprën e predikimit pa kufizime ligjore. Harold Kingu, një pionier me përvojë i cili më vonë shërbeu si misionar në Kinë, mori drejtimin për organizimin e fjalimeve publike në ambient të hapur. «Këtë të shtunë,—tha ai,—do të mbaj fjalimin e parë në ambient të hapur.» Pa nga unë dhe tha: «Të shtunën tjetër do ta mbash ti.» U befasova.

Më kujtohet mjaft mirë fjalimi im i parë. Qindra veta ishin të pranishëm. Për të mbajtur fjalimin, hipa mbi një kuti dhe nuk kisha asnjë mjet akustik. Pas fjalimit, m’u afrua një burrë, më dha dorën dhe u prezantua me emrin Bill Smith. Ai tha se kishte parë njerëzit e mbledhur dhe kishte ndaluar për të parë se ç’po ndodhte. Pastaj doli që babai im e kishte takuar Billin më parë, por i kishin humbur lidhjet kur babai dhe njerka ime ishin transferuar në Dublin për të shërbyer si pionierë. Filluam një studim biblik bashkë. Me kalimin e kohës, nëntë pjesëtarë të familjes së Billit u bënë shërbëtorë të Jehovait.

Më vonë predikoja në zonën e vilave të mëdha në periferi të Belfastit, ku takova një grua ruse që kishte jetuar në Lituani. Kur i tregova disa botime, ajo tregoi me gisht një libër dhe tha: «Këtë e kam. Ma dha xhaxhai që është profesor në Universitetin e Kaunasit.» Ajo më tregoi librin Krijimi në polonisht. Pjesët anës faqeve ishin plot me shënime. Sa u habit kur i thashë se isha unë që ia kisha dhënë atë libër xhaxhait të saj kur ishim takuar në Kaunas!—Ekl. 11:1.

Kur Xhon Sempe mori vesh se do të shkoja në Irlandën e Veriut, më kërkoi që t’i bëja një vizitë motrës së tij të vogël, Nelit, sepse kishte treguar interes për të vërtetën biblike. Bashkë me motrën time, Konin, studiuam Biblën me të. Neli përparoi shumë shpejt dhe ia kushtoi jetën Jehovait. Me kalimin e kohës, fillova një periudhë njohjeje me të dhe u martuam.

Bashkë me Nelin kaluam 56 vjet në shërbim të Jehovait dhe patëm privilegjin të ndihmonim më shumë se njëqind veta të merrnin njohuri për të vërtetën biblike. Kishim shpresuar që të jetonim e ta kalonim bashkë Harmagedonin për në botën e re të Jehovait, por vdekja, armikja mizore, e rrëmbeu në vitin 1998. Kjo ishte një goditje shkatërruese për mua—një nga sprovat më të mëdha të jetës sime.

Kthimi në shtetet baltike

Gati një vit pasi vdiq Neli, pata një bekim të mrekullueshëm. Më ftuan të vizitoja zyrën e degës në Talin, Estoni. Në letër vëllezërit nga Estonia shpjegonin: «Nga dhjetë vëllezërit që ishin caktuar në vendet baltike në fund të viteve 20 dhe në fillim të viteve 30, ti je i vetmi që ke mbetur gjallë.» Më tej, thoshin se zyra e degës po përgatiste historinë e veprës në Estoni, Letoni e Lituani dhe më pyetnin: «A mund të vish?»

Çfarë privilegji të tregoja përvojat që shokët e mi të shërbimit kishin pasur në ato vite të hershme! Në Letoni u tregova vëllezërve apartamentin e mëparshëm që ishte përdorur si zyrë dege dhe vendin nën çati ku fshihnim literaturën, që policia nuk e kishte zbuluar kurrë. Në Lituani më çuan në një qytet të vogël të quajtur Shjauljai, ku kisha shërbyer si pionier. Në një mbledhje atje, një vëlla më tha: «Shumë vjet më parë, unë dhe mamaja blemë një shtëpi në qytet. Po hiqnim ca mbeturina nga papafingoja kur papritur gjeta librat Plani hyjnor i epokave dhe Harpa e Perëndisë. Kur i lexova, kuptova se kisha gjetur të vërtetën. Duhet t’i kesh lënë ti ata libra në atë shtëpi shumë vite më parë.»

Ndoqa edhe një asamble qarkore në një qytet ku kisha shërbyer si pionier. Kisha qenë në një asamble atje 65 vjet më parë. Në ato kohë ishim vetëm 35 të pranishëm. Por çfarë kënaqësie ishte të shihje tani një auditor prej 1.500 vetash! Sa e ka bekuar Jehovai veprën!

‘Jehovai nuk më la’

Kohët e fundit pata një bekim fare të papritur kur një e krishterë e dashur me emrin Bi, pranoi të bëhej gruaja ime. U martuam në nëntor 2006.

Mund të siguroj çdo të ri që nuk di çfarë të vendosë për jetën, se është mjaft e mençur t’u vërë veshin këtyre fjalëve të frymëzuara: ‘Kujtoje Krijuesin tënd të Madh në ditët e djalërisë sate.’ Tani mund të gëzoj, ashtu si shprehet psalmisti në Bibël: «O Perëndi, ti më mësove që nga rinia ime, dhe deri tani tregoj veprat e tua të mrekullueshme. Deri në pleqëri, kur të jem flokëzbardhur, o Perëndi, mos më lër, derisa t’i tregoj brezit tjetër për krahun tënd, të gjithë atyre që do të vijnë, për fuqinë tënde.»—Psal. 71:17, 18.

[Harta në faqen 25]

(Për tekstin e faqosur, shih botimin)

Një caktim i rrezikshëm ishte të çonim literaturë në Letoni

ESTONI

TALIN

Gjiri i Rigës

LETONI

RIGË

LITUANI

VILNJUS

Kaunas

[Figura në faqen 26]

Fillova shërbimin si përhapës (pionier) kur isha 15 vjeç në Skoci

[Figura në faqen 26]

Me Nelin, ditën e dasmës më 1942