Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?
Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?
PSE të pëlqen të ecësh në park ose të shëtisësh nëpër lëndina me lule erëmira? Pse të kënaqet shpirti kur sheh një liqen të bukur ose male madhështore me majat që shkojnë gjer në re? Pse ndalon për të dëgjuar këngën e gëzueshme të zogjve nëpër pemë? Pse është kaq e këndshme të shohësh kafshë të lezetshme që luajnë ose një tufë delesh tek kullotin në një lëndinë?
Ka një përgjigje për të gjitha këto pyetje. Ne jemi bërë për të jetuar në Parajsë! Aty e filluan jetën prindërit tanë të parë, Adami dhe Eva. Prej tyre e kemi trashëguar dëshirën për të jetuar në Parajsë, dhe atyre ua kishte vënë në zemër Krijuesi i tyre, Perëndia Jehova. Ai e dinte se ne njerëzit do të ishim të lumtur në Parajsë, sepse na krijoi me cilësitë që duhen për të gëzuar një shtëpi të tillë të mrekullueshme në tokë.
Përse e krijoi Jehovai tokën? Ai «e formoi që të banohej» nga njerëzit. (Isaia 45:18) «Bërësi i tokës» i dha Adamit dhe Evës një shtëpi të bukur parajsore, kopshtin e Edenit. (Jeremia 10:12; Zanafilla 2:7-9, 15, 21, 22) Sa duhet të jenë kënaqur ata me lumenjtë, lulet dhe pemët që ishin aty! Në qiell fluturonin zogj të bukur, kurse në tokë endeshin lloje të ndryshme kafshësh, por asnjëra nuk ishte e rrezikshme për njerëzit. Në ujërat e pastra kristal të tokës kishte peshq dhe kafshë të tjera. Por më e rëndësishmja, Adami dhe Eva kishin njëri-tjetrin. Mund të lindnin pasardhës dhe ta zgjeronin shtëpinë parajsore, duke gëzuar shoqërinë e familjes së tyre që do të shtohej.
Ndonëse toka sot nuk është parajsë, ajo mund të krahasohet me shtëpinë e bukur të një familjeje të lumtur. Toka që na ka dhënë Perëndia si shtëpi, ka gjithçka që na nevojitet: dritë, ngrohtësi, ujë dhe ushqim. Sa e vlerësojmë dritën dhe ngrohtësinë e diellit, si edhe vezullimin e hënës natën! (Zanafilla 1:14-18) Në qilarët e tokës ka lëndë djegëse, si qymyr dhe naftë, që mund t’i përdorim për ngrohje. Falë ciklit të qarkullimit të ujit dhe sistemit tokësor të lumenjve, liqeneve dhe deteve, kemi ujë me bollëk. Kurse, si qilim, toka ka barin e gjelbër.
Ashtu si mbajmë rezerva ushqimi në shtëpi, edhe në tokë ka me bollëk rezerva ushqimore. Nëpërmjet të korrave nëpër ara dhe frutave nëpër pemishte, Jehovai na jep ‘stinë të frytshme dhe na i mbush zemrat plot hare’. (Veprat 14:16, 17) Nëse që tani toka është një shtëpi e tillë e mrekullueshme, përfytyroni si do të jetë ajo kur ‘Perëndia i lumtur’, Jehovai, ta kthejë në parajsë!—1 Timoteut 1:11.
[Burimet e figurave në faqen 2]
KAPAKU: Toka: fotografi e NASA-s; Yjet: NASA, ESA and AURA/Caltech