Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Dita e diplomimit​—Një ditë e bukur

Dita e diplomimit​—Një ditë e bukur

Dita e diplomimit​—Një ditë e bukur

«KJO ditë e bukur është një bekim për ne. Dielli shkëlqen. Qielli është i kaltër. Bari i gjelbër. Zogjtë cicërojnë. Kemi një rast të përsosur për të kaluar një ditë të bukur, kështu që nuk do të zhgënjehemi. Jehovai nuk është Perëndia i zhgënjimit. Ai është Perëndia i bekimeve.»

Me këto fjalë, vëlla Samuel Herdi, anëtar i Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, filloi programin e diplomimit të klasës së 117-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit. Diplomimi u bë më 11 shtator 2004. Programi i mrekullueshëm përmbante këshilla ndërtuese të bazuara në Bibël, si edhe përvoja të studentëve gjatë shkollës e nga shërbimi misionar. Ishte vërtet një ditë e bukur për 6.974 të pranishmit në Qendrën e Arsimimit Watchtower në Paterson, Nju-Jork, dhe në komplekset e ndërtesave në Bruklin dhe Uollkill, që ishin të lidhur në audio dhe video.

Fjalë inkurajuese për studentët

Xhon Kikoti, i cili është anëtar i Komitetit të Degës në Shtetet e Bashkuara, i inkurajoi të pranishmit me anë të fjalimit: «Mbani gëzimin si misionarë.» Vëllai theksoi se studentët e Galaadit shquhen për gëzimin e tyre, ashtu siç ishin edhe ditën e diplomimit. Udhëzimet nga Shkrimet, që morën gjatë periudhës së shkollës, u sollën gëzim, dhe tani ishin të aftë të ndihmonin të tjerët që të provonin të njëjtin gëzim. Si mund t’i ndihmonin? Duke iu përkushtuar shërbimit si misionarë. Jezui tha: «Ka më shumë lumturi të japësh se të marrësh.» (Veprat 20:35) Si imitues të Perëndisë Jehova, «Perëndisë së lumtur» dhe bujar, i cili u jep të vërtetën njerëzve të tjerë, misionarët e rinj do të jenë në gjendje të ruajnë gëzimin.​—1 Timoteut 1:11.

I dyti në program ishte Dejvid Splejni, një anëtar tjetër i Trupit Udhëheqës, i cili trajtoi temën: «Çfarë marrëdhënieje do të krijoni me njerëzit?» Nuk ka dyshim se është mirë dhe bukur të jetojmë në unitet me njëri-tjetrin, megjithëse kjo mund të kërkojë që të bëhemi «çdo gjë për njerëz të çdo lloji». (1 Korintasve 9:22; Psalmi 133:1) Vëlla Splejni tha se studentët që po diplomoheshin do të kishin të bënin me njerëz të ndryshëm gjatë veprës misionare​—me njerëzit në territor, me misionarët e tjerë, me vëllezërit dhe motrat në kongregacionin e ri dhe me pjesëtarët e zyrës së degës, që drejtojnë veprën e predikimit dhe të mësimdhënies. Ai u dha sugjerime praktike se si të kenë një marrëdhënie sa më të mirë me të tjerët: të njohin gjuhën e vendit, të përshtaten sa më shpejt me zakonet e vendit, të respektojnë të drejtën e misionarëve të tjerë për të pasur një jetë private dhe të jenë të bindur ndaj atyre që marrin drejtimin.​—Hebrenjve 13:17.

Pastaj, Lorenc Boueni, instruktor në Shkollën e Galaadit, pyeti: «Çfarë mendimesh keni?» Ai u kujtoi studentëve se ata që ‘gjykonin sipas pamjes’ nuk e pranuan Jezuin si Mesinë. (Gjoni 7:24) Si njerëz të papërsosur, të gjithë duhet të kemi kujdes që të mos ‘mendojmë [me] mendimet e njerëzve’, por me «mendimet e Perëndisë». (Mateu 16:22, 23) Edhe ata që kanë tashmë një gjendje të mirë frymore, duhet të vazhdojnë të ndreqin mënyrën e tyre të të menduarit. Ashtu siç ndodh me një anije në det, ndreqjet tani mund të nënkuptojnë arritjen e synimit, duke shmangur kështu fundosjen frymore. Nëse e studiojmë vazhdimisht Biblën, do të na ndihmojë të mendojmë me «mendimet e Perëndisë».

Uollas Livërënsi, një instruktor tjetër i Shkollës së Galaadit, mbajti fjalimin e fundit të kësaj pjese të programit. Duke u bazuar në Isainë 55:1, tema për të cilën foli titullohej: «Çfarë do të blini?» Ai i nxiti studentët ‘të blejnë’ ripërtëritjen, gëzimin dhe ndihmën që vjen nga mesazhi profetik i Perëndisë për ditët tona. Profecia e Isaisë e krahason fjalën e Perëndisë me ujin, verën dhe qumështin. Po si mund ta blejmë «pa para dhe pa paguar»? Vëlla Livërënsi shpjegoi se kjo mund të arrihet duke u kushtuar vëmendje profecive të Biblës, duke i zëvendësuar mendimet dhe rrugët jobiblike me ato të Perëndisë. (Isaia 55:2, 3, 6, 7) Duke vepruar kështu, misionarët e rinj mund të gjejnë mbështetje në vendet ku janë caktuar. Njerëzit e papërsosur shpesh mendojnë se lumturia varet nga rehatia materiale. «Këtë mos e blini,​—i nxiti oratori.​—Mos e pranoni këtë mënyrë të menduari. Sigurohuni që të lini kohë për një studim të thellë të Fjalës profetike të Perëndisë. Ky studim mund t’ju përtërijë besimin, t’ju forcojë dhe t’ju sjellë gëzim në caktimin tuaj si misionarë.»

Përvoja dhe intervista të bukura nga studentët

Studentët morën pjesë rregullisht në veprën e predikimit. Nën drejtimin e Mark Numarit, një instruktori tjetër në Galaad, disa studentë nga klasa vunë në skenë disa përvoja që theksonin temën e fjalimit: «Nuk na vjen turp për lajmin e mirë.» (Romakëve 1:16) Auditori pati kënaqësinë të dëgjonte se si këta shërbëtorë me përvojë dhanë dëshmi nga shtëpia në shtëpi, në rrugë dhe në qendrat tregtare. Studentët që dinin gjuhë të tjera morën iniciativën që të kërkonin në territorin e kongregacionit të tyre njerëzit që flisnin ato gjuhë. Të tjerët përdorën më së miri botimet biblike të botuara nga Dëshmitarët e Jehovait, gjatë rivizitave dhe kur fillonin një studim biblik. Ata ‘nuk kishin turp’ të predikonin lajmin e mirë.

Vëlla Uilliam Nonkësi, që është caktuar në repartin e shërbimit, drejtoi intervistat që iu bënë disa misionarëve me përvojë nga Burkina-Faso, Letonia dhe Rusia. Duke u përqendruar në temën «Jehovai i shpërblen me dashuri besnikët», ata dhanë këshilla praktike. Një nga vëllezërit e intervistuar i inkurajoi studentët të kujtonin ushtrinë e Gideonit me 300 burra. Çdo ushtar kishte një detyrë të caktuar, që i kontribuoi suksesit të Gideonit. (Gjyqtarët 7:19-21) Ngjashëm tyre, edhe misionarët që qëndrojnë në caktimin e tyre, shpërblehen.

Intervistat e tjera, të drejtuara nga Samuel Robersoni, instruktor në Paterson, u përqendruan në temën «Të bëhemi çdo gjë për njerëz të çdo lloji». Ai intervistoi katër anëtarë të Komitetit të Degës nga Senegali, Guami, Liberia dhe Madagaskari. Në këto vende shërbejnë gjithsej 170 misionarë. Studentët që do të diplomoheshin mësuan se si Komitetet e Degëve i ndihmojnë misionarët e rinj të përshtaten në caktimin e tyre. Shpesh kjo nënkupton edhe mësimin e zakoneve të vendit që mund të duken të pazakonta për standardet perëndimore. Për shembull, në disa vende është diçka normale, madje edhe në kongregacionin e krishterë, që të shikosh burra që, si miq, ecin dorë për dore. Ndërsa, në disa vende të mbikëqyrura nga dega e Guamit, hahen gjellë të çuditshme. Shumë veta janë përshtatur, prandaj këtë mund ta bëjnë edhe misionarët e rinj.

Gai Piërsi, anëtar i Trupit Udhëheqës, foli për temën «Qëndrojini besnik ‘Mbretërisë së Zotërisë sonë’». Ai u kujtoi të pranishmëve: «Jehovai kishte një qëllim kur krijoi gjërat. Kishte diçka në mendje për krijimin e tij. Qëllimi që kishte për tokën nuk ka ndryshuar. Ky qëllim i pandalshëm po shkon drejt përmbushjes. Askush nuk mund ta pengojë.» (Zanafilla 1:28) Vëlla Piërsi i inkurajoi të gjithë që t’i nënshtrohen me besnikëri sovranitetit të Perëndisë pavarësisht nga vështirësitë që lindën si pasojë e mëkatit të njeriut të parë, Adamit. «Po jetojmë në orën e gjykimit. Nuk na ka mbetur shumë kohë për të gjetur njerëzit e sinqertë që t’i ndihmojmë të njohin të vërtetën. Përdoreni sa më mirë kohën për të çuar lajmin e mirë të Mbretërisë edhe te njerëz të tjerë»,​—i nxiti vëlla Piërsi. Ata që e mbështetin me besnikëri Mbretërinë e Perëndisë mund të kenë besim se ai do t’i përkrahë.​—Psalmi 18:25.

Në pjesën përmbyllëse, drejtuesi lexoi përshëndetjet dhe urimet që kishin dërguar degët anembanë globit. Pastaj paraqiti diplomat e studentëve, njëri prej të cilëve lexoi një letër, ku shprehej vlerësimi i tyre nga zemra për stërvitjen që kishin marrë. Ishte një mbyllje më se e përshtatshme e asaj dite të bukur, që do të kujtohet për shumë kohë nga gjithë të pranishmit.

[Kutia në faqen 23]

STATISTIKAT E KLASËS

Numri i vendeve të përfaqësuara: 11

Numri i shteteve ku u caktuan: 22

Numri i studentëve: 48

Mosha mesatare: 34,8

Mesatarja e viteve në të vërtetën: 18,3

Mesatarja e viteve në shërbim të plotkohor: 13,4

[Figura në faqen 24]

Diplomimi i klasës së 117-të të Shkollës Biblike Watchtower të Galaadit

Në listën e mëposhtme, rreshtat janë numëruar nga para pas dhe emrat janë renditur nga e majta në të djathtë për çdo rresht.

(1) Thompson, E.; Norvell, G.; Powell, T.; Kozza, M.; McIntyre, T. (2) Reilly, A.; Clayton, C.; Allan, J.; Blanco, A.; Muñoz, L.; Rustad, N. (3) Guerrero, Z.; Garcia, K.; McKerlie, D.; Ishikawa, T.; Blanco, G. (4) McIntyre, S.; Cruz, E.; Guerrero, J.; Ritchie, O.; Avellaneda, L.; Garcia, R. (5) Powell, G.; Fiskå, H.; Muñoz, V.; Baumann, D.; Shaw, S.; Brown, K.; Brown, L. (6) Shaw, C.; Reilly, A.; Peloquin, C.; Münch, N.; McKerlie, D.; Ishikawa, K. (7) Münch, M.; Peloquin, J.; Kozza, T.; Avellaneda, M.; Allan, K.; Ritchie, E.; Norvell, T. (8) Cruz, J.; Baumann, H.; Clayton, Z.; Fiskå, E.; Thompson, M.; Rustad, J.