Një mësim nga lejleku
Një mësim nga lejleku
«EDHE lejleku në qiej i njeh mirë kohët e tij të caktuara . . . Por sa për popullin tim, ata nuk e kanë njohur gjykimin e Jehovait.» (Jeremia 8:7, BR) Me këto fjalë, profeti Jeremia shpalli gjykimin e Jehovait kundër banorëve apostatë të Judës, të cilët e kishin lënë Jehovain, Perëndinë e tyre dhe i ishin kthyer adhurimit të hyjnive të huaja. (Jeremia 7:18, 31) Përse Jeremia zgjodhi lejlekun si shembull praktik për judenjtë jobesnikë?
Izraelitët shihnin shpesh lejlekë, e në veçanti, lejlekët e bardhë, pasi këta shtegtonin përmes rajoneve biblike. Emri hebraik për këtë shpend të madh e këmbëgjatë është trajta femërore e një fjale që do të thotë «besnik; me dashamirësi». Ky emër është i përshtatshëm, sepse ndryshe nga shumica e shpendëve të tjerë, mashkulli dhe femra e lejlekëve të bardhë i qëndrojnë besnikë njëri-tjetrit për gjithë jetën. Pasi dimërojnë në rajone më të ngrohta, shumica e lejlekëve kthehen vit pas viti shpesh në të njëjtën fole që kanë përdorur më parë.
Sjellja instinktive e lejlekut e ilustron cilësinë e besnikërisë edhe në mënyra të tjera të jashtëzakonshme. Si mashkulli, ashtu edhe femra e këtij shpendi bashkëpunojnë për të ngrohur vezët dhe për të ushqyer zogjtë e vegjël. Libri Our Magnificent Wildlife (Fauna jonë e mrekullueshme) shpjegon: «Si prindër, lejlekët janë jashtëzakonisht besnikë. Në Gjermani, një lejlek mashkull që po fluturonte u ngatërrua në telat e tensionit të lartë dhe e zuri korrenti. Partnerja e tij vazhdoi t’i ngrohte e vetme vezët për 3 ditë me radhë, gjatë të cilave e la folenë vetëm për një kohë të shkurtër, për të kërkuar ushqim. . . . Në një rast tjetër, kur lejleku femër u vra nga gjuetarët, babai i rriti vetë të vegjlit.»
Në të vërtetë, duke treguar instinktivisht besnikëri gjatë gjithë jetës për partneren e tij dhe kujdes të butë për të vegjlit, lejleku e meriton vërtet domethënien e emrit të tij, pra «besnik». Kështu, lejlekët shërbyen si një ilustrim i fuqishëm për izraelitët jobesnikë dhe rebelë.
Për shumë njerëz sot besnikëria dhe besueshmëria janë të dala mode, domethënë të admirueshme si cilësi, por jo praktike. Rritja e madhe e numrit të divorceve, të braktisjes, të përvetësimeve dhe formave të tjera të mashtrimit tregon se besnikëria nuk vlerësohet më. Në dallim me këtë, Bibla tregon se besnikëria e motivuar nga dashuria dhe nga mirëdashja ka shumë vlerë. Ajo i nxit të krishterët që të ‘veshin personalitetin e ri, i cili u krijua sipas vullnetit të Perëndisë në drejtësi dhe besnikëri të vërtetë’. (Efesianëve 4:24) Po, personaliteti i ri na ndihmon të jemi besnikë, por, për sa i përket besnikërisë, mund të nxjerrim mësim edhe nga lejleku.