Ecja në shtigjet e Jehovait sjell shpërblime të bollshme
Ecja në shtigjet e Jehovait sjell shpërblime të bollshme
A KE shkuar ndonjëherë në ekskursion në mal? Nëse po ka të ngjarë që të jesh ndier sikur ishe mbi çatinë e botës. Sa e këndshme ishte të thithje ajrin e pastër, të shihje përtej larg, të përpije bukurinë e natyrës! Ndoshta problemet e botës atje poshtë dukeshin më pak të rëndësishme.
Për shumicën e njerëzve ekskursione të tilla janë të rralla, por nëse je një i krishterë i kushtuar, ti mund të kesh ecur për ca kohë në vende malore, në kuptimin frymor. Pa dyshim që je lutur si psalmisti i lashtësisë: «O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.» (Psalmi 25:4) A të kujtohet si je ndier kur u ngjite për herë të parë në malin e shtëpisë së Jehovait dhe fillove të shkelësh në vende të larta? (Mikea 4:2; Habakuku 3:19) S’ka dyshim që shpejt e kuptove se duke ecur nëpër shtigjet e larta të adhurimit të pastër ishe i mbrojtur dhe i gëzuar. Fillove të ndiheshe si psalmisti: «Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate.»—Psalmi 89:15.
Megjithatë, disa herë ekskursionistët e terreneve malore duhet të mundohen nëpër shpatet e gjata dhe të rrëpirëta. Këmbët fillojnë t’u dhembin e ndihen të këputur. Edhe ne mund të hasim vështirësi në shërbimin ndaj Perëndisë. Kohët e fundit mund t’i kemi hedhur hapat me mundim. Si mund ta fitojmë prapë fuqinë dhe gëzimin? Hapi i parë është të pranojmë epërsinë e udhëve të Jehovait.
Ligjet e larta të Jehovait
Udhët e Jehovait janë ‘të larta në krahasim me udhët e njeriut’ dhe adhurimi i tij është ‘vendosur në majën e maleve dhe është ngritur përmbi kodrat’. (Isaia 55:9 DSF; Mikea 4:1) Mençuria e Jehovait është ‘mençuria nga lart’. (Jakovi 3:17) Ligjet e Tij janë më të larta se të gjitha ligjet e tjera. Për shembull, në kohën kur kananitët praktikonin flijimet mizore të fëmijëve, Jehovai u dha izraelitëve ligje që ishin të larta moralisht dhe që karakterizoheshin nga mëshira. Ai u tha: «Nuk do të tregohesh i anshëm me të varfërin as do të nderosh personat e fuqishëm. . . . Të huajin që banon midis jush ta trajtoni njëlloj si ai që ka lindur midis jush; ti do ta duash si veten tënde.»—Levitiku 19:15, 34.
Pesëmbëdhjetë shekuj më vonë, Jezui dha më shumë shembuj nga ‘ligji i madh’ i Jehovait. (Isaia 42:21) Në Predikimin në Mal u tha dishepujve të tij: «Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju persekutojnë; që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej.» (Mateu 5:44, 45) Ai shtoi: «Gjithçka, pra, që dëshironi t’ju bëjnë njerëzit juve, po ashtu duhet t’u bëni edhe ju atyre; kjo është, në fakt, domethënia e Ligjit dhe e Profetëve.»—Mateu 7:12.
Këto ligje të larta ndikojnë në zemrat e njerëzve të ndjeshëm duke i motivuar të imitojnë Perëndinë që adhurojnë. (Efesianëve 5:1; 1 Selanikasve 2:13). Mendo për ndryshimin që i ndodhi Pavlit. Për herë të parë dëgjojmë të flitet për të kur po «e miratonte vrasjen» e Stefanit dhe po e «trajtonte kongregacionin mizorisht». Vetëm pas pak vjetësh, ai po i trajtonte me butësi të krishterët në Selanik «si nëna që mënd, përkujdeset për fëmijët e saj». Mësimet hyjnore e shndërruan Pavlin nga përndjekës në një të krishterë që kujdesej për të tjerët. (Veprat 8:1, 3; 1 Selanikasve 2:7) Sigurisht, ishte mirënjohës që personaliteti i tij ishte modeluar nga mësimet e Krishtit. (1 Timoteut 1:12, 13) Si mund të na ndihmojë një çmueshmëri e tillë që të vazhdojmë të ecim në shtigjet e larta të Perëndisë?
Të ecim duke treguar çmueshmëri
Ekskursionistët kënaqen me pamjet mahnitëse që mund të shihen nga malet. Gjithashtu, ata mësojnë të shijojnë gjërat e vogla anash shtegut si për shembull, një gur të pazakontë, një lule të bukur ose t’i hedhin një shikim të shpejtë një kafshe të egër. Duke folur nga ana frymore, kemi nevojë që të jemi të vëmendshëm ndaj shpërblimeve, të vogla e të mëdha, që vijnë kur ecim me Perëndinë. Dijenia për këtë do t’u japë një shtytje hapave tanë dhe ecja jonë e mundimshme do të shndërrohet në një marshim gjallërues. Do të shprehemi njësoj si Davidi: «Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci.»—Psalmi 143:8.
Meri, e cila ka ecur në shtigjet e Jehovait për shumë vjet, thotë: «Kur vështroj krijimin e Jehovait, nuk shoh vetëm projektin e ndërlikuar të Perëndisë, por edhe personalitetin e tij të dashur. Pavarësisht nëse bëhet fjalë për një kafshë, një zog ose për një insekt, çdonjëri prej tyre është një botë e vogël tepër magjepsëse. E njëjta kënaqësi vjen nga të vërtetat frymore që bëhen më të qarta me kalimin e viteve.»
Si mund ta thellojmë çmueshmërinë? Pjesërisht, duke mos e marrë si diçka të zakonshme atë që Jehovai bën për ne. Pavli shkroi: «Lutuni pa pushim. Jepni falënderime për çdo gjë.»—1 Selanikasve 5:17, 18; Psalmi 119:62.
Studimi personal na ndihmon që të kultivojmë frymën e mirënjohjes. Pavli i nxiti të krishterët kolosianë: «Vazhdoni të ecni në unitet me [Jezu Krishtin], . . . duke vërshuar me besim në dhënie falënderimesh.» (Kolosianëve 2:6, 7) Duke lexuar Biblën dhe duke medituar mbi atë që lexojmë, besimi ynë forcohet dhe afrohemi më shumë me Autorin e Biblës. Në të gjitha faqet e saj ka thesare që mund të na nxitin ‘të vërshojmë në dhënie falënderimesh’.
Në të njëjtën kohë, kur i shërbejmë Jehovait krah për krah me vëllezërit tanë, udha jonë bëhet më e lehtë. Psalmisti tha për veten: «Unë jam shok i gjithë atyre që kanë frikë prej teje.» (Psalmi 119:63) Kalojmë disa nga çastet më të lumtura në asambletë e krishtere ose në raste të tjera në shoqëri me vëllezërit tanë. E pranojmë se familja jonë e çmuar e krishterë ekziston vetëm falë Jehovait dhe normave të tij të larta.—Psalmi 144:15b.
Përveç çmueshmërisë, edhe ndjenja e përgjegjësisë do të na forcojë që të vazhdojmë të ecim përpara në shtigjet e larta të Jehovait.
Të ecim me një ndjenjë përgjegjësie
Ekskursionistët që kanë një ndjenjë përgjegjësie, e pranojnë se duhet të ecin me kujdes, nëse nuk duan të humbasin rrugën ose të mos bredhin shumë afër rrëpirave. Duke qenë se jemi njerëz me vullnet të lirë, Jehovai na lejon një masë të arsyeshme lirie dhe nisme. Por një liri e tillë kërkon një ndjenjë përgjegjësie, teksa përmbushim detyrimet tona të krishtere.
Për shembull, Jehovai ka besim se shërbëtorët e tij i përmbushin detyrimet e tyre me përgjegjësi. Ai nuk thotë se sa energji dhe kohë duhet të harxhojmë në veprimtaritë e krishtere ose sa duhet të kontribuojmë nga ana financiare apo në mënyra të tjera. Përkundrazi, fjalët e Pavlit drejtuar korintasve zbatohen për të gjithë ne: «Secili le të bëjë ashtu si ka vendosur në zemër të vet.»—2 Korintasve 9:7; Hebrenjve 13:15, 16.
Për ne si të krishterë të japim me një ndjenjë përgjegjësie nënkupton të ndajmë lajmin e mirë me të tjerët. Po ashtu, tregojmë se kemi një ndjenjë përgjegjësie kur kontribuojmë për veprën mbarëbotërore të Mbretërisë. Gerharti, një plak, shpjegon se ai dhe gruaja e tij i shtuan ndjeshëm kontributet, pasi shkuan në një asamble në Evropën Lindore. Ai thotë: «Pamë se vëllezërit tanë atje kanë shumë pak nga ana materiale, por e çmojnë aq shumë literaturën biblike, prandaj vendosëm t’u japim sa më shumë mbështetje që të jetë e mundur vëllezërve tanë në nevojë në vendet e tjera.»
Të rritim qëndrueshmërinë
Ecja nëpër male kërkon qëndrueshmëri. Ekskursionistët bëjnë ushtrime fizike sa herë që kanë mundësi dhe shumë prej tyre bëjnë shëtitje të shkurtra, me qëllim që të përgatiten për ekskursionet e gjata. Në mënyrë të ngjashme, Pavli këshilloi të përfshihemi në veprimtaritë teokratike, që të vazhdojmë të jemi në formë nga ana frymore. Pavli tha se ata që duan ‘të ecin denjësisht për Jehovain’ dhe të bëhen «të fuqishëm», duhet ‘të vazhdojnë të japin fryt në çdo vepër të mirë’.—Kolosianëve 1:10, 11.
Motivimi ndihmon që ekskursionisti të ketë fuqi për të qëndruar. Si? Përqendrimi mbi një synim të qartë, si për shembull, mbi një mal të largët, ka një ndikim nxitës. Dhe kur ekskursionisti arrin në ndonjë pikë të njohur të rrugës, ai mund ta masë sa i ka mbetur drejt synimit të tij përfundimtar. Kur shikon prapa rrugën që ka bërë, ndihet i kënaqur.
Ngjashëm, shpresa e jetës së përhershme na mbështet dhe na nxit. (Romakëve 12:12) Ndërkohë që ecim në udhët e Jehovait, ndiejmë kënaqësi kur vëmë synime të krishtere dhe pastaj i arrijmë ato. Dhe sa gëzim ndiejmë kur mendojmë për vitet e shërbimit besnik ose kur vërejmë ndryshimet që kemi bërë në personalitetin tonë!—Psalmi 16:11.
Ekskursionistët ecin me hapa të rregullt, që të përshkojnë largësi të mëdha dhe të ruajnë energjinë. Në të njëjtën mënyrë, një rutinë e mirë, e cila përfshin pjesëmarrjen e rregullt në mbledhje dhe në shërbimin në fushë, do të na ndihmojë të ecim me vendosmëri drejt synimit tonë. Prandaj Pavli u dha këtë nxitje të bashkëkrishterëve: «Le të vazhdojmë të ecim në mënyrë të rregullt në të njëjtën vazhdë.»—Filipianëve 3:16.
Natyrisht që nuk ecim të vetëm në shtigjet e Jehovait. Pavli shkroi: «Le të interesohemi për njëri-tjetrin, që të nxitemi për dashuri dhe vepra të shkëlqyera.» (Hebrenjve 10:24) Shoqëria e mirë frymore do të na e bëjë më të lehtë që të mbajmë të njëjtin hap, ndërsa ecim me të bashkëkrishterët tanë.—Fjalët e urta 13:20.
E fundit, por më e rëndësishmja, nuk duhet të harrojmë kurrë fuqinë që na jep Jehovai. Ata, forca e të cilëve është tek Jehovai, ‘do të vazhdojnë të ecin me një energji jetësore që sa vjen e shtohet’. (Psalmi 84:5, 7, BR) Edhe pse nganjëherë do të duhet të kalojmë nëpër terren të ashpër, me ndihmën e Jehovait mund t’ia dalim mbanë.