Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të rinj—Qëndroni të patundur kundër Djallit

Të rinj—Qëndroni të patundur kundër Djallit

«Vishni armaturën e plotë të Perëndisë, që të jeni në gjendje të qëndroni të patundur kundër intrigave të Djallit.»​—EFES. 6:11.

KËNGËT: 79, 140

1, 2. (a) Pse të rinjtë e krishterë po e fitojnë luftën kundër forcave të liga? (Shih figurën hapëse.) (b) Çfarë do të shqyrtojmë?

APOSTULLI Pavël e krahasoi jetën tonë si të krishterë me atë të ushtarëve në një luftim trup me trup. Natyrisht, lufta që po bëjmë është e figurshme, jo e mirëfilltë. Ama, armiqtë tanë janë realë. Satanai dhe demonët janë luftëtarë të regjur me një përvojë të jashtëzakonshme. Në pamje të parë, perspektiva jonë mbase duket e zymtë. E veçanërisht të brishtë mund të duken të rinjtë e krishterë. Si mund të shpresojnë të fitojnë kundër forcave të liga mbinjerëzore? E vërteta është se të rinjtë mund të fitojnë, dhe po fitojnë! Pse? Sepse ‘vazhdojnë të marrin fuqi në Zotërinë’. Po përveçse marrin fuqi nga Perëndia, ata bëjnë edhe diçka tjetër: janë të veshur për betejë. Si ushtarë të stërvitur mirë, ‘kanë veshur armaturën e plotë të Perëndisë’.​—Lexo Efesianëve 6:10-12.

2 Kur bëri këtë ilustrim, Pavli ndoshta kishte në mendje armaturën që mbanin ushtarët e legjioneve romake. (Vep. 28:16) Le të shqyrtojmë pse ky është një ilustrim i goditur. Ndërkaq, do të vërejmë edhe çfarë thonë disa të rinj për vështirësitë dhe dobitë që ka veshja e secilës pjesë të armaturës nga Perëndia.

A është e plotë armatura jote?

«IJËT TË NGJESHURA ME TË VËRTETËN»

3, 4. Si ngjan e vërteta që gjendet në Bibël me një brez ushtarak romak?

3 Lexo Efesianëve 6:14. Brezi që ngjeshte një ushtar romak kishte pllakëza metalike që i mbronin ijët ose mesin. Ishte bërë në mënyrë të tillë që t’ia lehtësonte peshën e pjesës së sipërme të armaturës. Brezi ndonjëherë kishte edhe mbajtëse të forta për shpatën dhe kamën. Me këtë brez të ngjeshur fort, ushtari mund të ndihej i sigurt se do të qëndronte i patundur në betejë.

4 Në mënyrë të ngjashme, të vërtetat që mësojmë nga Fjala e Perëndisë na mbrojnë nga dëmi që shkaktojnë mësimet e rreme. (Gjoni 8:31, 32; 1 Gjon. 4:1) Sa më shumë t’i duam të vërtetat hyjnore, aq më të lehtë e kemi të mbajmë «parzmoren» tonë, pra të jetojmë sipas standardeve të drejta të Perëndisë. (Psal. 111:7, 8; 1 Gjon. 5:3) Veç kësaj, kur i kuptojmë qartë të vërtetat e Fjalës së Perëndisë, mund t’i përkrahim e t’i mbrojmë me siguri të plotë përballë kundërshtarëve.​—1 Pjet. 3:15.

5. Pse duhet të themi të vërtetën?

5 Kur të vërtetën e Biblës e kemi, si të thuash, të ngjeshur pas vetes si një brez, do të ndihemi të motivuar të jetojmë në harmoni me të dhe të themi të vërtetën në çdo rast. Pse bëjmë kujdes të mos themi gënjeshtra? Sepse gënjeshtra ka qenë një nga armët më të efektshme të Satanait. Gënjeshtra dëmton edhe atë që e thotë, edhe atë që e beson. (Gjoni 8:44) Prandaj ne bëjmë maksimumin si njerëz të papërsosur që të mos themi gënjeshtra. (Efes. 4:25) Megjithatë, kjo mund të jetë e vështirë. Abigaila 18-vjeçare thotë: «Ndoshta jo gjithmonë duket se ia vlen të thuash të vërtetën, sidomos kur një gënjeshtër mund të të nxjerrë nga një situatë e sikletshme.» Atëherë, pse përpiqet të thotë gjithmonë të vërtetën? Ajo shprehet: «Kur them të vërtetën, kam ndërgjegje të pastër para Jehovait. Gjithashtu, prindërit dhe miqtë e mi e dinë se mund të kenë besim tek unë.» Viktoria 23-vjeçare vëren: «Kur thua të vërtetën dhe mbron bindjet e tua, mund të bëhesh shënjestër e bullizmit. Ama, dobitë gjithmonë janë fantastike: fiton siguri, ndihesh më afër Jehovait dhe fiton respektin e atyre që të duan.» Pa dyshim, ia vlen ta mbash gjithmonë ‘të ngjeshur në ijë’ brezin e së vërtetës.

Brezi i së vërtetës (Shih paragrafët 3-5.)

‘PARZMORJA E DREJTËSISË’

6, 7. Pse drejtësia krahasohet me një parzmore?

6 Një lloj parzmoreje që mbante ushtari romak në shekullin e parë përbëhej nga shirita hekuri horizontalë të vendosur njëri mbi tjetrin. Këta shirita kishin formë të lakuar që të ishin në masën e kraharorit të tij dhe, nëpërmjet grremçave e tokëzave metalike, lidheshin te disa rripa lëkure. Më lart, pjesa e sipërme e trupit të ushtarit mbulohej me shirita të tjerë hekuri që lidheshin te një tunikë lëkure. Kjo lloj veshjeje ia kufizonte deri diku lëvizjet ushtarit dhe kërkonte që ai të kontrollonte rregullisht nëse pllakëzat e parzmores ishin të fiksuara fort. Ama, armatura pengonte tehun e shpatës a majën e shigjetës që t’i shponte zemrën ose organe të tjera jetësore.

7 Çfarë simboli i përshtatshëm se si standardet e drejta të Jehovait na mbrojnë zemrën e figurshme! (Prov. 4:23) Ashtu si ushtari nuk do ta këmbente një parzmore hekuri me një prej metali më të dobët, edhe ne nuk do të donim kurrë t’i këmbenim standardet e Jehovait për atë që është e drejtë me standardet tona. Gjykimi ynë është tepër i mangët për të na siguruar mbrojtjen e nevojshme. (Prov. 3:5, 6) Në vend të kësaj, ne kontrollojmë rregullisht nëse ‘pllakëzat e hekurta të parzmores’ që na ka dhënë Jehovai janë të fiksuara fort mbi zemrën tonë.

8. Pse ia vlen t’u përmbahemi me besnikëri standardeve të Jehovait?

8 A ndihesh ndonjëherë sikur standardet e drejta të Jehovait janë një barrë ose të kufizojnë lirinë? Danieli, që është 21 vjeç, thotë: «Mësuesit dhe nxënësit e tjerë më vinin në lojë ngaqë jetoj sipas standardeve të Biblës. Për njëfarë kohe, e humba sigurinë dhe rashë në dëshpërim.» Si e mori veten? Ai tregon: «Me kohë, provova dobitë që vijnë kur jeton sipas standardeve të Jehovait. Disa nga ‘shokët’ e mi nisën të merrnin drogë; të tjerë e lanë shkollën. Ishte e trishtueshme të shihje çfarë rruge mori jeta e tyre. Jehovai vërtet na mbron.» Medisona 15-vjeçare thotë: «Për mua është një luftë t’u përmbahem me besnikëri standardeve të Jehovait dhe të mos ndjek idetë e moshatarëve të mi për gjërat që quhen trendi ose zbavitëse.» Si ia del mbanë? Ajo thotë: «I kujtoj vetes se mbaj emrin e Jehovait dhe se tundimi është thjesht një mënyrë si më sulmon Satanai. Kur fitoj një betejë, ndihem më mirë me veten.»

Parzmorja e drejtësisë (Shih paragrafët 6-8.)

«KËMBËT TË MBATHURA ME PAJIMET E LAJMIT TË MIRË TË PAQES»

9-11. (a) Cilat «çizme» simbolike veshin të krishterët? (b) Çfarë mund të na ndihmojë të ndihemi më rehat kur predikojmë lajmin e mirë?

9 Lexo Efesianëve 6:15. Një ushtar romak që nuk i kishte veshur çizmet, nuk ishte gati të marshonte drejt betejës. Çizmet e tij tip sandalesh përbëheshin nga tri shtresa lëkure të lidhura bashkë që ia mbanin shkëlqyer këmbën. Falë mënyrës si ishin bërë, ato ishin edhe rezistente edhe të rehatshme.

10 Ndërkohë që çizmet e mirëfillta i ndihmonin ushtarët romakë në luftë, ato simbolike i ndihmojnë të krishterët të përhapin një mesazh paqeje. (Isa. 52:7; Rom. 10:15) Prapëseprapë, duhet guxim për të folur kur krijohet mundësia. Roberto, që është 20 vjeç, thotë: «Kisha frikë t’u jepja dëshmi shokëve të klasës. Mendoj se më vinte turp. Kur kthej kokën pas, nuk e di pse duhej të kisha turp. Tani u dëshmoj me kënaqësi moshatarëve të mi.»

11 Shumë të rinj kanë provuar se kur janë të përgatitur mirë për të predikuar lajmin e mirë, ndihen më rehat të flasin për të. Ç’mund të bësh që të jesh gati? Ja çfarë thotë Xhulia 16-vjeçare: «Unë mbaj literaturë në çantën e shkollës e i dëgjoj me vëmendje opinionet dhe bindjet që shprehin shokët e klasës. Kështu kam mundësi të mendoj se çfarë do t’i ndihmojë. Kur jam e përgatitur, mund t’u flas për diçka që do t’u vlejë në mënyrë specifike.» Mekenzi 23 vjeçe thotë: «Nëse je tip i dhembshur dhe dëgjues i mirë, do të krijosh një ide se me çfarë problemesh po luftojnë moshatarët e tu. Sigurohem që t’i kem lexuar të gjitha materialet e botuara për të rinjtë. Kjo më jep mundësi t’i drejtoj moshatarët e mi te diçka në Bibël ose në sitin jw.org që do t’i ndihmojë.» Siç tregojnë këto komente, sa më i përgatitur të jesh për të predikuar, aq më mirë do të jenë të lidhura pas këmbëve «çizmet» e tua.

Këmbët e mbathura me gatishmërinë (Shih paragrafët 9-11.)

‘MBUROJA E MADHE E BESIMIT’

12, 13. Cilat janë disa nga «shigjetat e zjarrta» të Satanait?

12 Lexo Efesianëve 6:16. ‘Mburoja e madhe’ që mbante një ushtar i legjioneve romake kishte formë drejtkëndëshe dhe e mbulonte nga supet deri te gjunjët. Ajo i shërbente për t’u mbrojtur nga goditjet e armëve dhe nga breshëria e shigjetave.

13 Disa nga «shigjetat e zjarrta» që mund të lëshojë kundër teje Satanai janë gënjeshtrat për Jehovain​—se Ai nuk do t’ia dijë për ty dhe se është e pamundur të të dojë. Ida 19-vjeçare që lufton me ndjenjat e pavlefshmërisë thotë: «Shpesh jam ndier sikur Jehovai nuk është pranë meje dhe nuk dëshiron të jetë Miku im.» Si e përballon këtë sulm? Ajo thotë: «Mbledhjet janë një ndihmë kolosale që më forcon besimin. Më parë zija një vend dhe nuk komentoja kurrë, duke menduar se askush nuk donte të dëgjonte ç’kisha për të thënë unë. Kurse tani përgatitem për mbledhjet dhe përpiqem të komentoj dy ose tri herë. Është e vështirë, por ndihem shumë më mirë kur e bëj këtë. Dhe vëllezërit e motrat më japin shumë zemër. Gjithmonë largohem nga mbledhjet me sigurinë se Jehovai më do.»

14. Cilën të vërtetë thekson përvoja e Idës?

14 Përvoja e Idës thekson një të vërtetë të rëndësishme: mburoja që i jepej një ushtari kishte përmasa të përcaktuara, por madhësia e mburojës sonë të besimit ose zvogëlohet, ose rritet. Këtë e kemi në dorë vetë. (Mat. 14:31; 2 Sel. 1:3) Sa e rëndësishme është të vazhdojmë ta rritim besimin tonë!

Mburoja e madhe e besimit (Shih paragrafët 12-14.)

‘PËRKRENARJA E SHPËTIMIT’

15, 16. Në ç’mënyrë ngjan shpresa me një përkrenare?

15 Lexo Efesianëve 6:17. Përkrenarja që mbanin këmbësorët romakë shërbente për të zmbrapsur goditjet që kishin në shënjestër kokën, qafën dhe fytyrën. Disa përkrenare kishin një dorezë që ushtari të kishte mundësi ta mbante në dorë.

16 Ashtu si një përkrenare që i mbron kokën ushtarit, ‘shpresa e shpëtimit’ na mbron mendjen, ose aftësinë për të menduar. (1 Sel. 5:8; Prov. 3:21) Shpresa na mban të përqendruar te premtimet e Perëndisë dhe na ndihmon t’i shohim problemet nga këndvështrimi i duhur. (Psal. 27:1, 14; Vep. 24:15) Ama, nëse duam që ‘përkrenarja’ jonë të jetë e efektshme, duhet ta vëmë në kokë, jo ta mbajmë në dorë.

17, 18. (a) Si mund të na e prishë mendjen Satanai që ta heqim përkrenaren tonë? (b) Si mund të tregojmë se nuk kemi rënë në grackën e mashtrimit të Satanait?

17 Si mund të na e prishë mendjen Satanai që ta heqim përkrenaren tonë? Mendo pak si veproi ai me Jezuin. Pa diskutim që Satanai e dinte se Jezui kishte shpresën që me kohë të qeveriste mbi njerëzimin. Mirëpo Jezuit do t’i duhej të priste deri në kohën e caktuar të Jehovait. Dhe para se të vinte ajo ditë, do t’i duhej të vuante e të vdiste. Kështu Satanai i ofroi shansin që ta bënte realitet më shpejt shpresën e tij. Satanai sugjeroi se po t’i bënte një akt adhurimi, Jezui mund të kishte gjithçka dhe mund ta kishte në çast. (Luka 4:5-7) Po njësoj, Satanai e di se Jehovai na ofron të mira materiale në sistemin e ri. Mirëpo duhet të presim, dhe ndërkohë mund të na duhet të vuajmë nga probleme të ndryshme. Kështu Satanai na ofron mundësi joshëse për ta shijuar tani një jetë të tillë. Ai do që të kërkojmë në radhë të parë të mirat materiale​—të kemi gjithçka e ta kemi tani. Satanai na nxit që Mbretërinë ta kërkojmë në radhë të dytë.​—Mat. 6:31-33.

18 Si shumë të rinj të krishterë, Kiana 20-vjeçare nuk ka rënë në grackën e këtij mashtrimi. Ajo thotë: «E di mirë se e vetmja shpresë për të zgjidhur gjithë problemet tona është Mbretëria e Perëndisë.» Si ndikon sot kjo shpresë e sigurt te mënyra si mendon dhe te veprimet e saj? Ajo shton: «Shpresa e Parajsës më ndihmon të mbaj pikëpamjen e duhur për synimet në botë. Nuk përpiqem të nxjerr përfitime nga talentet e mia ose të ngjit shkallët e karrierës. Në vend të kësaj, po i investoj kohën dhe energjitë në synime që kënaqin Jehovain.»

Përkrenarja e shpëtimit (Shih paragrafët 15-18.)

‘SHPATA E FRYMËS’, FJALA E PERËNDISË

19, 20. Si mund ta përmirësojmë mjeshtërinë tonë në përdorimin e Fjalës së Perëndisë?

19 Shpata që përdornin këmbësorët romakë në kohën kur Pavli shkroi letrën e tij ishte rreth 50 centimetra e gjatë dhe shërbente për luftime trup me trup. Një arsye pse ushtarët romakë kishin aq shumë sukses është se praktikoheshin çdo ditë me armët e tyre.

20 Pavli e krahason Fjalën e Perëndisë me një shpatë që na e ka dhënë Jehovai. Por ne duhet të mësojmë ta përdorim me mjeshtëri kur mbrojmë bindjet tona​—ose kur ndreqim mënyrën si mendojmë ne vetë. (2 Kor. 10:4, 5; 2 Tim. 2:15) Si mund ta përmirësosh mjeshtërinë tënde? Sebastiani, që është 21 vjeç, thotë: «E kam bërë zakon të shkruaj një varg nga çdo kapitull gjatë leximit të Biblës. Po krijoj një listë me vargjet e mia të preferuara. Kështu, vihem më në harmoni me mënyrën si mendon Jehovai.» Danieli, i cituar më sipër, thotë: «Gjatë leximit të Biblës, veçoj vargje që mendoj se do të ndihmojnë ata që takoj në shërbim. Kam parë se njerëzit reagojnë mirë kur shohin se je entuziast për Biblën dhe se po bën maksimumin për t’i ndihmuar.»

Shpata e frymës (Shih paragrafët 19-20.)

21. Pse s’ka arsye të frikësohemi nga Satanai dhe demonët?

21 Siç e kanë treguar të rinjtë e cituar në këtë artikull, s’ka pse të frikësohemi nga Satanai dhe demonët. Ata janë të fuqishëm, por jo të pamposhtshëm. Gjithashtu, janë të vdekshëm. Së shpejti, gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Krishtit, ata do të kufizohen në një gjendje joaktiviteti total, e më pas do të shfarosen. (Zbul. 20:1-3, 7-10) Ne e njohim armikun tonë, taktikat e tij dhe synimet që ka. Me ndihmën e Jehovait, mund të qëndrojmë të patundur kundër tij!