Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Mjeshtrat e mesjetës në mjekësi

Mjeshtrat e mesjetës në mjekësi

SHUMË aspekte të mjekësisë moderne mund të mos jenë aq moderne sa kujtojmë. Në të vërtetë, një sërë praktikash mjekësore të zakonshme sot, përdoreshin shekuj më parë në disa vende. Të ndalemi, për shembull, te historia e mjekësisë gjatë mesjetës në Lindjen e Mesme.

KALIFI HARUN AR RASHID ngriti në vitin 805 të e.s. një spital në kryeqytetin e tij, Bagdad. Nga shekulli i 9-të deri në shekullin e 13-të, sundimtarë të tjerë ndërtuan e mirëmbajtën spitale anembanë botës islame, nga Spanja deri në Indi.

Ato spitale mirëpritnin të pasur e të varfër të të gjitha feve. Mjekët profesionistë jo vetëm kuronin të sëmurët, por edhe bënin kërkime e stërvitnin praktikantët e rinj. Kishte pavijone për specialitete të ndryshme​—mjekësia e brendshme, okulistika, ortopedia, kirurgjia, sëmundjet infektive dhe sëmundjet mendore. Mjekët, të shoqëruar nga studentët e tyre, vizitonin të sëmurët mëngjes për mëngjes dhe u rekomandonin dietat e ilaçet e duhura. Spitalet kishin farmacistët e vet që u jepnin barnat të sëmurëve. Personeli i administratës kujdesej për dokumentacionin, kontrollonte shpenzimet, mbikëqyrte përgatitjen e ushqimit dhe merrej me detyra të tjera administrative​—njësoj si sot.

Historianët i mbajnë këto spitale si «një nga arritjet e mëdha të shoqërisë mesjetare islame». Anekënd botës islame, «spitali si institucion po zhvillohej në rrugë revolucionare, që do të ndikonin në përparimin e shkencave mjekësore dhe të kujdesit shëndetësor deri në kohët tona», siç thotë autori e historiani Hauard R. Tërner.

RAZISI, lindi në mesin e shekullit të 9-të në qytetin e lashtë të Rajit, që sot ndodhet në periferi të Teheranit. Ai është quajtur «mjeku më i madh i islamit dhe, në fakt, i krejt mesjetës». Në dobi të mjekëve të tjerë, ky shkencëtar e mendimtar i hodhi me shkrim metodat e tij eksperimentale, kushtet laboratorike, pajisjet që përdori dhe rezultatet. Ai i këshillonte gjithë mjekët të ecnin në një hap me zhvillimet e fundit në fushën e tyre.

Razisi pati një sërë arritjesh. Për shembull, punimet e tij mjekësore përfshihen në veprën me 23 vëllime Al-Havi (Libri i gjithanshëm), që renditet ndër tekstet e rëndësishme mjekësore. Thuhet se në këtë libër gjendet zanafilla e obstetrikës, e gjinekologjisë dhe e kirurgjisë së syrit. Në faqet e 56 veprave të tij me tema mjekësore, jepen përshkrimet më të lashta të sakta të sëmundjeve të lisë e të fruthit. Gjithashtu, Razisi zbuloi se temperatura e lartë është një nga mekanizmat mbrojtës të trupit.

Veç kësaj, ai drejtonte spitale në Raj dhe në Bagdad. Falë punës që bëri atje me të sëmurët mendorë, u vlerësua si babai i psikologjisë dhe i psikoterapisë. Përpos mjekësisë, Razisi gjeti kohë të shkruante libra për kiminë, astronominë, matematikën, filozofinë dhe teologjinë.

AVICENA, një pionier tjetër në lëmin e mjekësisë, ishte me origjinë nga qyteti i Buharës, në Uzbekistanin e sotëm. Ai u bë një nga mjekët, filozofët, astronomët dhe matematikanët e mëdhenj të shekullit të 11-të. Avicena shkroi një enciklopedi, Traktati i mjekësisë (ose Kanuni i mjekësisë), që përfshinte krejt dijet mjekësore të gjeratëhershme.

Traktat, ai thoshte se tuberkulozi është ngjitës, se sëmundjet mund të përhapen nëpërmjet  ujit e dheut, se ndjenjat ndikojnë te mirëqenia fizike dhe se nervat transmetojnë si dhembjen, edhe impulset për tkurrjen e muskujve. Avicena përshkroi në Traktat rreth 760 preparate farmaceutike​—vetitë, veprimin dhe përdorimin e tyre—​dhe parashtroi parimet se si të provoheshin barnat e reja. Ky tekst u përkthye në latinisht dhe u përdor për qindra vjet në fakultetet e mjekësisë në Evropë.

Dorëshkrim arab me ilustrime të mjeteve kirurgjikale të Albukasisit

ALBUKASISI është një emër tjetër që spikat në historinë e mjekësisë. Ky novator i shekullit të 10-të nga Andaluzia, në Spanjën e sotme, nxori një përmbledhje 30-vëllimëshe, që përmbante një traktat me 300 faqe për kirurgjinë. Në të përshkruante procedura të përparuara, si: përdorimi i fillit natyror për të qepur çarjet brenda trupit, heqja e gurëve të fshikëzës me një instrument që futej nëpërmjet rrugëve urinare, tiroidektomia dhe heqja e perdes së syrit.

Albukasisi përdori «metoda klinike relativisht moderne» për të lehtësuar lindjet e vështira dhe për të trajtuar një shpatull të dalë vendit. Ai ishte i pari që përdori pambukun për të mjekuar plagët e operacionit dhe allçinë për të vënë në vend kockat. Gjithashtu, përshkroi teknikën e rivënies së një dhëmbi të rënë, të bërjes së dhëmbëve artificialë, të drejtimit të dhëmbëve të shtrembër dhe të heqjes së gurëzave.

 Në traktatin e Albukasisit për kirurgjinë, paraqiteshin për herë të parë ilustrime të mjeteve të kirurgut. Përmbante vizatime të qarta të rreth 200 mjeteve kirurgjikale dhe jepte udhëzime si dhe kur të përdoreshin. Disa nga veglat kirurgjikale që vizatoi, kanë pësuar fare pak ndryshime gjatë një mijëvjeçari.

Avicena mbikëqyr përgatitjen e barnave për linë

Dijet shtrihen në Perëndim

Në shekujt e 11-të dhe të 12-të, studiuesit nisën t’i përkthenin në latinisht tekstet mjekësore arabe, sidomos në Toledo, Spanjë, dhe në Monte-Kasino e Salerno, Itali. Pas kësaj, mjekë anekënd Evropës latinishtfolëse i studiuan këto përkthime në universitete. Kështu, dijet mjekësore të Lindjes së Mesme «depërtuan në zemër të Evropës gjatë shekujve pasues, ndoshta më shumë se çdo shkencë tjetër islame», siç shprehet Esan Masudi, shkrimtar në fushën shkencore.

Pra, zbulimet dhe shpikjet e mjeshtërve të mesjetës, si Razisi, Avicena, Albukasisi e të bashkëkohësve të tyre mund të konsiderohen me të drejtë themeli i asaj që sot e quajmë mjekësia moderne.