Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A vdiq vërtet në një kryq Jezui?

A vdiq vërtet në një kryq Jezui?

Pikëpamja e Biblës

A vdiq vërtet në një kryq Jezui?

KRYQI është një nga simbolet fetare më të njohura. Miliona e adhurojnë, duke e konsideruar si mjetin e shenjtë në të cilin u vra Jezui. Shkrimtari katolik dhe arkeologu Adolf-Napoleon Didroni pohoi: «Kryqi është adhuruar ngjashëm Krishtit, të mos themi baras me të; ky dru i shenjtë është adhuruar pothuajse aq sa adhurohet vetë Perëndia.»

Disa thonë se kryqi i bën të ndihen më afër me Perëndinë kur luten. Të tjerë e përdorin si hajmali, duke menduar se i mbron nga i ligu. Por, a duhet ta përdorin të krishterët kryqin si objekt përnderimi a adhurimi? A vdiq vërtet në një kryq Jezui? Çfarë mëson Bibla për këtë?

Çfarë simbolizon kryqi?

Kohë përpara epokës së krishterë, babilonasit e lashtë i përdornin kryqet si simbole në adhurimin e perëndisë së pjellorisë, Tamuzit. Përdorimi i tij u përhap në Egjipt, Indi, Siri dhe Kinë. Pastaj, shekuj më vonë, izraelitët e përdhosën adhurimin e tyre ndaj Jehovait duke adhuruar perëndinë e rremë Tamuzin. Bibla i referohet kësaj forme adhurimi si një ‘gjëje të pështirë’.—Ezekieli 8:13, 14.

Ungjijtë e Mateut, Markut, Lukës dhe Gjonit përdorin fjalën greke stauros kur i referohen mjetit të ekzekutimit ku vdiq Jezui. (Mateu 27:40; Marku 15:30; Luka 23:26) Fjala stauros i referohet një shtylle vertikale, ose një huri. Libri Kryqi, jo i krishterë (anglisht), i autorit Xh. D. Parsënz shpjegon: «Nuk ekziston as edhe një fjali e vetme në çdonjë nga shkrimet e shumta që përbëjnë Besëlidhjen e Re që, në greqishten origjinale, të ketë qoftë edhe prova jo të drejtpërdrejta në mbështetje të idesë që staurosi i përdorur në rastin e Jezuit, të ketë qenë diçka tjetër përveçse një stauros i zakonshëm; aq më tepër nuk ekzistojnë prova që të mbështetin idenë se ai nuk ka qenë një tra, por dy copa të gozhduara së bashku në formën e kryqit.»

Siç është regjistruar te Veprat 5:30, apostulli Pjetër përdori fjalën ksilon, që do të thotë «pemë», si një sinonim për stauros, që tregon jo një kryq me dy trarë, por një copë të zakonshme druri vertikale ose pemë. Kaluan gati 300 vjet pas vdekjes së Krishtit, kur disa të ashtuquajtur të krishterë mbështetën idenë se Jezui u vra në një kryq me dy trarë. Megjithatë, kjo pikëpamje u bazua në traditë dhe në keqpërdorimin e fjalës greke stauros. Vlen të përmendet se disa vizatime të lashta, paraqitin ekzekutimet romake duke treguar një shtyllë të vetme druri ose një pemë.

«Ruhuni nga idhujt»

Një çështje më me rëndësi për të krishterët e vërtetë duhet të jetë nëse është e përshtatshme të adhurojnë mjetin që u përdor për të vrarë Jezuin. Çfarëdo që të ishte, një shtyllë torture vertikale, një kryq, një shigjetë, një heshtë apo një thikë, a duhet të adhurohet një mjet i tillë?

Imagjinoni sikur një njeriu juaj i dashur vritet brutalisht, dhe arma i paraqitet gjykatës si provë e krimit. A do të përpiqeshit ta merrnit armën, ta fotografonit dhe ta shumëfishonit, për ta shpërndarë pastaj? A do t’i bënit kopje në madhësi të ndryshme? A do t’i përdornit disa prej tyre si bizhuteri? A do t’i prodhonit këto kopje për të bërë tregti, dhe madje t’ua shitnit miqve e të afërmve që t’i adhurojnë? Ka të ngjarë që vetëm ideja t’ju ngjallte neveri. E megjithatë, tamam kështu po bëjnë njerëzit me kryqin.

Për më tepër, përdorimi i kryqit në adhurim nuk ndryshon shumë nga përdorimi i shëmbëlltyrave, një praktikë që dënohet në Bibël. (Dalja 20:2-5; Ligji i përtërirë 4:25, 26) Apostulli Gjon pasqyroi saktë mësimet e krishterimit të vërtetë kur i këshilloi të krishterët me fjalët: «Ruhuni nga idhujt.» (1 Gjonit 5:21) Ata vepruan kështu edhe nëse kjo do të thoshte të shkonin drejt vdekjes në arenat romake.

Megjithatë, të krishterët e shekullit të parë, e çmonin jashtëzakonisht vdekjen flijuese të Krishtit. Po njësoj edhe sot, ndonëse mjeti që u përdor për të torturuar dhe për të vrarë Jezuin nuk duhet të adhurohet, të krishterët e vërtetë përkujtojnë vdekjen e tij, nëpërmjet së cilës Perëndia siguroi shpëtimin për njerëzit e papërsosur. (Mateu 20:28) Kjo shprehje e pashoqe e dashurisë së Perëndisë do të sjellë bekime të papara për ata që e duan të vërtetën, përfshirë edhe perspektivën e jetës së përhershme.—Gjoni 17:3; Zbulesa 21:3, 4.

[Figura në faqen 12]

Disa vizatime të lashta paraqitin ekzekutimet romake, ku përdorej një shtyllë e vetme druri

[Burimi]

Rare Books Division, The New York Public Library, Astor, Lenox and Tilden Foundations