Mungesa e babait: Një problem që po përhapet
Mungesa e babait: Një problem që po përhapet
GJITHNJË e më shumë baballarë po e braktisin familjen. Në fund të viteve 90 të shekullit të 20-të, gazeta USA Today i quajti Shtetet e Bashkuara «vendi që ka numrin më të madh të familjeve pa baba». Megjithatë mungesa e babait është një problem mbarëbotëror.
Në Brazil, një raport i regjistrimit të popullsisë në vitin 2000 tregoi se numri i familjeve, ku kryefamiljare ishte gruaja, arrinte në 11,2 milionë nga 44,7 milionë familjet e regjistruara. Në Nikaragua, 25 për qind e fëmijëve jetonin vetëm me nënën. Gjatë viteve 90, në Kosta-Rikë numri i fëmijëve që nuk ishin njohur ligjërisht nga baballarët e tyre, u rrit nga 21,1 për qind në 30,4 për qind.
Statistikat nga këto tri vende janë vetëm disa shembuj që flasin për një prirje që po përhapet anembanë botës. Por mungesa e babait në familje mund të shfaqet edhe në një formë tjetër.
Me trup, por jo me mendje
Ju lutemi të shihni kutinë: «Babi, kur do vish prapë?» Naoja, që tani është 23 vjeçe, thotë: «Para se të hyja në shkollë e shihja rrallë babanë. Një herë, kur po dilte nga shtëpia, iu luta: ‘Hajde prapë, mirë?’»
Marrëdhëniet familjare, si ajo që kishte Naoja me babanë e saj, e nxitën shkrimtarin polak Pjotër Shçekeviç të thoshte: «Me sa duket, familja e ndien shumë mungesën e babait.» Është e vërtetë që shumë baballarë jetojnë me familjen e tyre dhe e mbështetin ekonomikisht. Sidoqoftë, siç tha revista franceze Capital, «mjaft baballarë mjaftohen vetëm duke i siguruar familjes ushqimin, pa u marrë me edukimin e fëmijëve».
Shpesh ndodh që babai është në familje, por nuk përfshihet në jetën e fëmijëve. Ai e ka mendjen gjetkë. «Edhe nëse [babai] fizikisht është në shtëpi,—thotë revista franceze Famille chrétienne,—psikologjikisht ai mund të mos jetë aty.» Përse sot ka kaq shumë baballarë që i mungojnë familjes, qoftë nga ana psikologjike, qoftë nga ana emocionale?
Siç shpjegon revista e mësipërme, një arsye kryesore është se «ai nuk arrin të kuptojë
përgjegjësitë që ka si baba ose si bashkëshort». Shumë baballarë mendojnë se përgjegjësia e një babai të mirë është vetëm sa të sjellë në shtëpi një rrogë të mirë. Siç tha shkrimtari polak, Jozef Augustini, «shumë baballarë mendojnë se janë prindër të mirë, ngaqë fitojnë para për familjen». Por kjo është vetëm një pjesë e përgjegjësive të babait.Në të vërtetë fëmijët nuk e gjykojnë vlerën e babait nga shuma e parave që ai fiton ose nga vlera monetare e dhuratave që ai mund t’u japë. Përkundrazi, çka duan me të vërtetë fëmijët, madje shumë më tepër nga ç’duan dhuratat, është dashuria, koha dhe vëmendja e babait. Këto janë gjërat që kanë vërtet rëndësi për ta.
Nevoja për vetëshqyrtim
Sipas një raporti të Këshillit Qendror të Arsimit në Japoni, «baballarët duhet të bëjnë një rishqyrtim të mënyrës së jetesës, sepse i janë përkushtuar tepër punës». Çështja është: a do të bëjë ndryshime një baba për hir të fëmijëve? Gazeta gjermane Gießener Allgemeine shkruante për një studim, ku shumica e baballarëve të intervistuar nuk i vinin fëmijët para karrierës.
Fëmijët mund të lëndohen thellë kur duket se babai nuk interesohet për ta. Lidia, e cila tani është 21 vjeçe, e ka të gjallë në kujtesë qëndrimin e të atit kur ishte e vogël dhe jetonte në Poloni. Ajo tregon: «Babai nuk bisedonte kurrë me ne. Jetonim në dy botë të ndryshme. Ai nuk e dinte se kohën e lirë e kaloja nëpër disko.» Po kështu edhe Makarena, një 21-vjeçare nga Spanja, thotë se kur ishte e vogël, i ati «nisej në fundjavë që të zbavitej me shoqërinë dhe ndonjëherë nuk kthehej në shtëpi për ditë të tëra».
Jepuni gjërave përparësinë e duhur
Ndoshta shumica e baballarëve e kuptojnë se u kushtojnë shumë pak kohë dhe vëmendje fëmijëve. Një baba nga Japonia, i cili ka një djalë adoleshent, tha: «Shpresoj që fëmija im ta kuptojë gjendjen time. Mendoj gjithnjë për të, edhe kur jam i zënë.» Por, a zgjidhet problemi thjesht duke shpresuar se fëmija do ta kuptojë përse babai nuk i gjendet pranë?
Nuk ka dyshim, duhen shumë përpjekje, madje kërkohen sakrifica për të plotësuar nevojat e fëmijës. Duket qartë se nuk është e lehtë t’u japësh fëmijëve gjërat për të cilat kanë nevojë më shumë, pra dashuri, kohë dhe vëmendje. Jezu Krishti tha: «Njeriu s’duhet të jetojë vetëm me bukë [ose ushqim].» (Mateu 4:4) Gjithashtu është e vërtetë se fëmijët nuk mund të rriten siç duhet, duke u siguruar vetëm gjërat materiale. Si baba, a je gati që, për t’u qëndruar pranë fëmijëve, të sakrifikosh diçka që mund të jetë shumë e çmuar për ty, pra kohën a ndoshta edhe mundësinë për të bërë karrierë?
Gazeta Mainichi Daily News e datës 10 shkurt 1986 fliste për një baba që arriti ta kuptonte se sa të rëndësishëm ishin për të fëmijët. Aty thuhej: «Një drejtues me rëndësi në Rrjetin Kombëtar Hekurudhor Japonez (JNR) vendosi të jepte dorëheqjen që të mos qëndronte më larg familjes.» Më tej gazeta citonte fjalët e këtij drejtuesi që thoshte: «Punën e drejtorit të përgjithshëm mund ta bëjë kushdo. Por vetëm unë mund të jem babai i fëmijëve të mi.»
Vërtet, një nga hapat e parë për t’u bërë baba i mirë, është të kuptosh se çfarë babai u duhet fëmijëve. Le të shqyrtojmë se çfarë nevojitet për të qenë një baba i tillë.
[Kutia në faqen 3]
«Babi, kur do vish prapë?»
Këtë pyetje i bëri një ditë babait të saj Naoja, një vajzë pesëvjeçare japoneze, kur ai po shkonte në punë. Ndonëse i ati jetonte në shtëpi, ajo e shihte rrallë. Zakonisht ai kthehej nga puna kur Naon e kishte zënë gjumi dhe nisej për në punë para se ajo të zgjohej.