Pyjet e shiut: Kush do t’i shpëtojë?
Pyjet e shiut: Kush do t’i shpëtojë?
ÇDOKUSH që dëshiron të zgjidhë problemet që rëndojnë mbi pyjet tropikale, në fillim duhet të merret me shkaqet. Cilat janë ato? Shkaku për këtë gjendje nuk është thjesht presioni që krijon mbipopullimi i njerëzve. Rajonet pjellore të tokës mund ta mbajnë me lehtësi popullsinë e botës, madje edhe shumë më tepër se kaq.
Në të vërtetë, qeveritë në disa vende janë të shqetësuara për shkak të mbiprodhimit në ferma, i cili bën që të ulen çmimet e ushqimeve. Disa qeveri i nxitin bujqit t’i kthejnë tokat e tyre në vende për të kaluar kohën e lirë, si për shembull, në vende fushimi, fusha golfi ose në rezervate natyrore.
Atëherë pse po pakësohen pyjet në botë? Për t’ju përgjigjur kësaj, duhet të shqyrtojmë shkaqe më të thella sesa ato që pamë deri tani.
Shkaqet rrënjësore të shpyllëzimit
Shumë kohë para shtimit të tanishëm me hapa të shpejtë të popullsisë, shumë qeveri prenë pyje të shtyrë nga etja për pushtet dhe për pasuri. Për shembull, nevoja e Perandorisë Britanike për lëndë drusore që të ndërtonte anije çoi në shkatërrimin e zonave me lisa të vetë Britanisë dhe pastaj edhe në shkatërrimin e pyjeve me tike në Birmani dhe në Tajlandë. E njëjta perandori rrëzoi pyje të tëra në Indi për të furnizuar me lëndë djegëse fonderitë e hekurit. Pyje të tjera u prenë për t’i lënë vendin plantacioneve të kauçukut, të kafesë dhe të kakaos.
Megjithatë, pas Luftës së II Botërore, sharrat zinxhir dhe buldozerët bënë të mundur që prerja e pyjeve të merrte përmasa të reja. Gjithnjë e më tepër pyje të brishta u shfrytëzuan si burime të ardhurash.
Kompani të mëdha blenë zona të gjera pjellore dhe përdorën pajisje të mekanizuara për të vjelur bimët e mbjella për treg. Pasi i kishin nxjerrë nga puna, mijëra fshatarë shkuan në qytete. Megjithatë të tjerë u nxitën të shkonin në pyjet e shiut. Ky terren ndonjëherë reklamohej si «tokë pa njerëz për njerëz pa tokë». Kur e kuptonin njerëzit se sa e vështirë ishte të merreshe me bujqësi në vende të tilla, shpesh ishte tepër vonë—tashmë një pjesë e madhe e pyllit ishte zhdukur.
Edhe korrupsioni i zyrtarëve «ka firmosur» dënimin me vdekje të shumë pyjeve. Marrja e një lejeje për prerjen e drurëve kërkon një shumë të mirë parash. Tashmë dihet që në këmbim të një ryshfeti, disa zyrtarë të pandershëm u kanë dhënë leje afatshkurtra kompanive që i plaçkitin
pyjet pa u bërë merak fare për mbrojtjen e natyrës.Megjithatë kërcënimi më i madh për gjallesat që rriten në pyje nuk është prerja e drurëve, por kthimi i pyjeve në toka bujqësore. Kur toka është pjellore, ka raste që një ndryshim i tillë edhe mund të justifikohet. Por shpesh, pa qenë nevoja, zyrtarë të korruptuar ose të paaftë kanë dhënë leje për prerjen e pyjeve që nuk mund të ripërtërihen më kurrë.
Edhe kriminelët bëjnë pjesën e tyre. Ata që presin drurë në mënyrë të paligjshme, presin fshehurazi pemë të çmuara, madje edhe ato brenda parqeve kombëtare. Ndonjëherë ata sharrojnë drurë dhe bëjnë dërrasa pikërisht në pyll, një veprim i paligjshëm e shpërdorues. Njerëz vendës paguhen që drurët e prerë t’i nxjerrin me biçikletë ose edhe duke i ngarkuar në kurriz. Pastaj, pasi errësohet, kamionët marrin drurët dhe kalojnë nëpër rrugë malore të rrahura fare pak, për të shmangur pikat e kontrollit.
Siç e shohim, shpyllëzimi dhe shfarosja e botës shtazore nuk janë pasoja të pashmangshme të rritjes së popullsisë. Shpesh ato janë pasoja të keqadministrimit, të tregtisë lakmitare, të krimeve, dhe të qeverisjes së korruptuar. Meqë puna është kështu, çfarë shprese ka për mbrojtjen e shumëllojshmërisë së pafund biologjike të pyjeve tropikale të shiut?
Çfarë shprese ka për pyjet e shiut?
«Në mbarë botën vetëm një pjesëz e pyjeve tropikale po administrohet siç duhet»,—thotë libri The Cutting Edge: Conserving Wildlife in Logged Tropical Forest. Ai shton: «Sot për sot, pak (ose asnjë) nga pyjet po shfrytëzohen pa e shkatërruar vërtet ekuilibrin ekologjik.» Sigurisht që shfrytëzimi duke ruajtur ekuilibrin ekologjik është i mundur, por në mbarë botën realiteti flet për një shpyllëzim të shpejtë.
Thuhet se në këtë drejtim, një përjashtim që vlen të përmendet përbën Bolivia, ku 25 për qind e pyjeve tropikale të shiut kanë certificatën se janë shfrytëzuar pa ua prekur ekuilibrin ekologjik. Megjithatë në shkallë botërore shifra mund të jetë më pak se një për qind, pra një pjesë kaq e papërfillshme, sa është për të ardhur keq. Shumica e pyjeve tropikale po shfrytëzohen mizorisht. Egoizmi dhe lakmia janë forcat shtytëse të këtij shkatërrimi. Atëherë, a është e arsyeshme të shpresojmë se tregtarët dhe politikanët e botës do t’i vënë fre kësaj prirjeje dhe do t’i kthehen mbrojtjes së kësaj trashëgimie të pazëvendësueshme të njerëzimit?
Libri Forests of Hope përfundon me këtë ideal që duhet të ndjekë njerëzimi: «Të gjejmë dhe të ndjekim një mënyrë jetese që është e përshtatshme për njerëzit në mbarë botën, dhe që nuk e rrënon tokën dhe pasuritë e saj.» Ky synim është i bukur, por, a është realist?
Çfarë qëllimi kishte Krijuesi ynë për tokën dhe njerëzimin? Ai e urdhëroi çiftin e parë njerëzor: «Mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë.» (Zanafilla 1:28) Pra Perëndia i lejon njerëzit të përfitojnë nga krijimi. Por ‘sundimi’ nuk është leje për rrënim.
Pra, çështja është: a mundet vërtet njeriu të ndryshojë në një shkallë botërore stilin e jetës dhe të jetojë në një mënyrë që «nuk e rrënon tokën dhe pasuritë e saj»? Këto fjalë nënkuptojnë që njerëzit të kenë dashuri për të afërmin dhe respekt për krijimin e Perëndisë, gjëra që janë të rralla në botën e sotme. Të shpresosh se udhëheqësit e njerëzimit do të përvetësojnë dhe do të nxitin një mënyrë jetese të tillë do të thotë të shpresosh në një fantazi.
Megjithatë Fjala e Perëndisë parathotë një kohë kur toka do të mbushet me njerëz që i duan të tjerët dhe Krijuesin e tyre. Bibla thotë: «Nuk do të bëhet asnjë e keqe, asnjë shkatërrim mbi tërë malin tim të shenjtë, sepse vendi do të mbushet me njohurinë e Zotit, ashtu si ujërat mbulojnë detin.» (Isaia 11:9; Psalmi 37:29; Mateu 5:5) Vëreni se arsyeja që populli i Perëndisë nuk bën ‘asnjë të keqe’ ose nuk shkakton ‘asnjë shkatërrim’ është sepse ata kanë arritur të njohin dhe të duan Jehovain, Krijuesin e Madh. Nuk ka asnjë dyshim që njerëz të tillë nuk do ta rrënojnë tokën.
Kjo nuk është vetëm një ëndërr. Që tani, Jehovai po mbledh njerëz të sinqertë dhe po i mëson. Duke studiuar Fjalën e Perëndisë, miliona njerëz anembanë botës kanë mësuar të ndjekin një mënyrë jetese që bazohet në dashurinë vetsakrifikuese. (Gjoni 13:34; 1 Gjonit 4:21) Kjo revistë bashkë me shoqëruesen e saj, Kulla e Rojës, botohet për t’i ndihmuar njerëzit të mësojnë më shumë se ç’përfshin kjo mënyrë jetese dhe si ta ndjekin atë. Ju ftojmë të vazhdoni të mësoni. Nuk mund të ketë asgjë më shpërblyese se kjo.
[Figurat në faqen 10]
Njeriu nuk do ta shkatërrojë më tokën e bukur, por do të kujdeset për të