Ketzali—Zog i mahnitshëm
Ketzali—Zog i mahnitshëm
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË KOSTA RIKË
KOSTA RIKA zë më pak se 0,03 për qind të sipërfaqes së tokës, e megjithatë është shtëpia e 875 llojeve të zogjve të regjistruar. Sipas një burimi, ky numër është më i madh se numri i atyre që gjenden në Kanada dhe në Shtetet e Bashkuara, të marra së bashku. Prandaj, s’është për t’u habitur që Kosta Rika është bërë vendmbërritja kryesore e amatorëve të vëzhgimit të zogjve. Na lejoni t’ju tregojmë udhëtimin që kemi bërë për të parë njërin nga këta zogj, ketzalin e mahnitshëm.
Në fillim të viteve 1500, në Meksikë mbërriti pushtuesi spanjoll Hernán Kortés. Atje, si dhuratë nga actekët mori një kapele të bërë me pendë ketzali. Vetëm anëtarët e familjes mbretërore acteke kishin privilegjin të mbanin zbukurime të tilla kaq shumë të vlerësuara. Pendët me ngjyrë të gjelbër nefriti të ketzalit mund të jenë konsideruar më të vlefshme se ari.
Sot ky zog jashtëzakonisht i bukur ka si habitatin e tij një territor të gjerë, nga Meksika deri në Panama. Ketzalin mund ta gjesh në pyjet malore të shiut, në lartësi nga 1.200 deri në 3.000 metra. Retë e pyllit janë produkt i ajrit të ngrohtë që ngrihet lart, duke u ftohur menjëherë. Kjo sjell si rezultat një bimësi të harlisur gjatë gjithë vitit, me tone të ngjyrës së gjelbër
dhe pemë masive që arrijnë lartësinë 30 metra ose më shumë, duke depërtuar në mjegull.Rreth 200 kilometra në veri të qytetit San-Hozé gjendet Rezervati Pyjor Santa Elena—një vend i mirë, nga i cili mund të vëzhgojmë ketzalin në ambientin e tij natyror. Me ndihmën e një udhërrëfyesi, fillojmë kërkimin tonë për të gjetur ndonjë nga ketzalët e mahnitshëm. Për shkak të ngjyrës së tij ngjashëm nefritit, e kemi të vështirë ta dallojmë këtë zog, sepse bëhet njësh me gjethnajën e pyllit. Udhërrëfyesi ynë fillon të imitojë cicërimën e butë e të qetë të këtij zogu. Tingulli është i ngjashëm me kuisjen e një koneje. Në fakt, kur dëgjon përgjigjen e ketzalit, një grua në grupin tonë mendon se në pyll ndodhet një qen që ka humbur!
Pas pak, rreth 15 metra sipër nesh, një zog mashkull del me druajtje mbi një degë për të hetuar. Nga dylbitë, ngjyrat e tij rrezatuese duken akoma më të mahnitshme nga sa i kishim imagjinuar. Gjoksin e ka ngjyrë të kuqe të ndezur e të thellë, në kontrast me puplat që i ka ngjyrë nefriti. Puplat e bardha të bishtit, të cilat bëjnë kontrast me dy puplat e tjera të gjelbra me nuanca të ylberta që i ka po në bisht, ia shtojnë shkëlqimin mahnitës. Këto dy pupla të fundit, të cilat njihen si banderola, arrijnë deri në 60 centimetra gjatësi. Ta shohësh ketzalin lart mbi një degë me banderolat e gjata që ia valëvit butësisht flladi, është një pamje bukurie që të qetëson.
Të shohësh një ketzal është përvojë unike. Në fakt, udhërrëfyesi ynë na përmendi se shpesh duhet më shumë se një udhëtim nëpër pyll për të parë një të tillë. Koha më e mirë për të vëzhguar ketzalët është gjatë stinës kur bëjnë foletë, stinë që zgjat nga marsi deri në qershor. Gjatë kësaj kohe, ata mund të ngrohin vezë dy herë dhe nga dy vezë për çdo herë.
Duke u kthyer për në zyrën e rezervatit, dëgjojmë cicërimën e një ketzali tjetër. Duke lëvizur plot hir dhe i ndjekur nga banderolat e veta të gjelbra, ai ulet në një degë jo më shumë se 5 metra larg vendit ku jemi ulur ne. Udhërrëfyesi na thotë se ketzalit i është zhdukur një zog i vogël nga foleja. Babai po shkon pemë më pemë duke kërkuar të voglin. Mësojmë se vetëm 25 për qind e vezëve arrijnë deri në zhvillim të plotë. Pjesa tjetër bëhet pre e grabitqarëve të tillë, si: ketrat, tukanetët e smeraldtë, grifshat e kafenjta, nuselalat dhe tairat. Një sfidë tjetër për mbijetesën e ketzalëve ka të bëjë me vendin ku e ndërtojnë folenë e tyre, që është një vrimë ngjashëm atyre që bëjnë qukapikët, të cilën ketzalët e bëjnë në lartësi nga 3 deri në 20 metra nga toka, nëpër trungje pemësh të vjetra që janë duke u kalbur. Kur bien shira të shumta, vrimat mund të përmbyten ose të shkatërrohen.
Mësojmë, gjithashtu, se ushqimi i preferuar i ketzalit është avokadoja e egër. Ai ulet në një degë, duke ia vënë syrin një kokrre avokadoje që lëkundet në degën e një peme fqinje. Pastaj, me një zhurmë krahësh që përplasen, vërsulet drejt e te shënjestra e vet, e kap frytin me gojë dhe kthehet në degën ku po rrinte. E gëlltit frytin ashtu siç është dhe 20 ose 30 minuta më vonë pështyn bërthamën e madhe të avokados.
Në kërkim të avokadove të egra, ketzalët migrojnë nëpër shpate të ndryshme të Ujëndarëses Kontinentale. Për shembull, nga korriku deri në shtator, ata mund t’i gjesh në brigjet e Paqësorit. Pastaj, në tetor transferohen në anën e Karaibeve për t’u ushqyer me prodhimet e reja të avokadove.
Ndërsa kalojmë një urë të varur, që është rreth 30 metra lart dyshemesë së pyllit, një ketzal gati-gati përplaset me ne. Me sa duket, ky zog ishte në kërkim të drekës dhe ne u ndodhëm në shtegun e tij. Femra ulet pikërisht sipër kokave tona, duke na hedhur një vështrim qortues ngaqë ishim futur aty ku s’duhej.
Na thuhet, gjithashtu, se një fryt tjetër që i pëlqen këtij zogu është manaferra, e cila rritet nëpër shkurret me gjemba. Kur ulen poshtë për të marrë frytet, ketzalëve disa herë u ngecin banderolat e pendëve nëpër gjemba dhe i humbin ato. Megjithatë, me kalimin e kohës pendët e bishtit rriten prapë.
Në këtë mënyrë, zogu mund të jetojë në lartësinë e emrit të tij. «Ketzal» vjen nga fjala acteke «ketsali», që do të thotë «i çmuar» ose «i bukur». Mjerisht, kjo bukuri ka qenë një kërcënim për mbijetesën e ketzalit. Në fakt, ketzali radhitet ndër llojet që rrezikojnë të zhduken. Këtë zog e kanë gjuajtur për lëkurën, të cilën e kanë shitur si suvenir. Disa nga këta zogj i kanë kapur të gjallë dhe i kanë shitur si kafshë për t’u mbajtur në shtëpi. Megjithatë, sipas udhërrëfyesit tonë, tani ketzali gëzon mbrojtje ligjore nga kjo plaçkitje.
Një kërcënim tjetër për mbijetesën e tij është shpyllëzimi, që sjell si pasojë humbjen e habitatit. Për mbrojtjen e këtij zogu të mahnitshëm dhe të jetës shtazore e bimore në gjendje të lirë, rreth 27 për qind e territorit të Kosta Rikës është lënë mënjanë si zonë e ruajtur.
Udhëtimi ynë për të vëzhguar ketzalin ka qenë vërtet shpërblyes. Sigurisht, në Muzeun Britanik në Londër mund të shohësh kapelen me pendë ketzali që iu dha Hernán Kortésit. Por pendët e ketzalit janë shumë më interesante, kur shihen te një zog i gjallë e i lirë! Të paktën tani për tani, ketzalët e egër gëzojnë liri dhe siguri relative në pyjet malore të shiut në Amerikën Qendrore.