Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

1

«Do ta kërkoj të humburën»

«Do ta kërkoj të humburën»

Delja është e hutuar. Ndërsa kulloste, pa e kuptuar u shkëput nga delet e tjera. Tani nuk sheh as kopenë, as bariun. Po bie errësira. E humbur në luginë ku sillen rrotull grabitqarët, delja është e pambrojtur. Më në fund dëgjon një zë të njohur, atë të bariut, i cili vrapon drejt saj, e merr në krahë, e mbështjell në palat e veshjes dhe e çon në shtëpi.

JEHOVAI e krahason vazhdimisht veten me një bari të tillë. Në Fjalën e tij, na siguron: «Do t’i kërkoj vetë delet e mia dhe do të kujdesem për to.»​—Ezekieli 34:11, 12.

«Unë do të kujdesem për delet e mia»

Cilët janë delet e Jehovait? E thënë thjesht, janë njerëzit që e duan dhe e adhurojnë. Bibla thotë: «Ejani ta adhurojmë e të përkulemi para tij! Le të biem në gjunjë para Jehovait, Bërësit tonë! Se ai është Perëndia ynë, kurse ne jemi populli i kullotës së tij, delet që u prin me dorën e vet.» (Psalmi 95:6, 7) Ashtu si delet ndjekin bariun, edhe adhuruesit e Jehovait janë të gatshëm të ndjekin Bariun e tyre. A janë të patëmetë? Jo. Shërbëtorët e Jehovait ndonjëherë bëhen si ‘dele të shpërndara’, si ‘dele të humbura’ dhe ‘si dele që po humbin rrugën’. (Ezekieli 34:12; Mateu 15:24; 1 Pjetrit 2:25) Gjithsesi, kur dikë e merr rryma, Jehovai nuk e braktis sikur të mos kishte më shpresë.

A mendon se Jehovai është ende Bariu yt? Si e tregon sot Jehovai se është Bari? Shqyrto tri mënyra.

Na ushqen frymësisht. «Do t’i kullot në kullota të mira,​—thotë Jehovai.—​Atje do të pushojnë në një vathë të mirë dhe do të kullotin në kullotat e majme.» (Ezekieli 34:14) Jehovai gjithmonë na ka dhënë lloj-lloj ushqimesh në kohën e duhur që na përtërijnë. A të kujtohet ndonjë artikull, ndonjë fjalim ose ndonjë video që iu përgjigj lutjes sate për ndihmë? A nuk të bindi se Jehovai kujdeset për ty?

Na mbron dhe na mbështet. Jehovai premton: «Do të kthej të larguarën, do ta fashoj të vrarën dhe do t’i jap forcë të sëmurës.» (Ezekieli 34:16) Jehovai u jep forcë atyre që janë ‘të sëmurë’ ose që i ka mbytur ankthi. Ai i fashon delet e tij, duke i ndihmuar të shërohen nëse janë lënduar, qoftë edhe nga bashkëbesimtarët. Gjithashtu, ai i kthen ata që janë larguar dhe që ndoshta po luftojnë me ndjenjat negative.

Ndihet përgjegjës për ne. «Unë do të kujdesem për delet e mia. . . . Do t’i mbledh në një ditë me re dhe terr të zi nga të gjitha vendet ku janë shpërndarë,​—thotë Jehovai.—​Do ta kërkoj të humburën.» (Ezekieli 34:12, 16) Për Jehovain, një dele e humbur nuk është një rast i pashpresë. Ai e di kur humb një dele, e kërkon atë dhe gëzohet kur e gjen. (Mateu 18:12-14) Në fakt, Jehovai i quan adhuruesit e vërtetë «delet e kullotës sime». (Ezekieli 34:31) Ti je një nga ato dele.

Për Jehovain, një dele e humbur nuk është një rast i pashpresë. Ai gëzohet kur gjendet kjo dele

«Sillna ditë të reja si kohë më parë»

Pse Jehovai po të kërkon dhe po të fton të kthehesh tek ai? Sepse do që ti të jesh i lumtur. Ai premton se do t’i bekojë delet e tij. (Ezekieli 34:26) Ky nuk është një premtim bosh. Tashmë e ke provuar vetë këtë.

Kujto përvojat që ke pasur kur njohe Jehovain. Për shembull, si u ndjeve kur mësove për herë të parë të vërtetat emocionuese për emrin e Perëndisë dhe qëllimin e tij për njerëzimin? A të kujtohet sa përtëriheshe kur ishe bashkë me të krishterët e tjerë në asamble dhe kongrese? Kur i flitje për lajmin e mirë dikujt që tregonte interes të sinqertë, a nuk ktheheshe në shtëpi i lumtur dhe shend e verë?

Mund ta provosh sërish këtë gëzim. Shërbëtorët e Perëndisë në kohët e lashta u lutën: «Na kthe pranë teje, o Jehova, dhe ne do të kthehemi me gatishmëri. Sillna ditë të reja si kohë më parë.» (Vajtimet 5:21) Jehovai iu përgjigj kësaj lutjeje dhe populli i tij u kthye që t’i shërbente me gëzim të përtërirë. (Nehemia 8:17) Jehovai do të bëjë të njëjtën gjë edhe për ty.

Por, të kthehesh te Jehovai është më e lehtë të thuhet se të bëhet. Shqyrto se cilat janë disa vështirësi dhe si mund t’i kapërcesh.