MËSIMI 55
Engjëlli i Jehovait mbron Hezekinë
Perandoria Asiriane kishte pushtuar mbretërinë dhjetëfisëshe të Izraelit. Tani Senakeribi, mbreti i Asirisë, donte të merrte edhe mbretërinë dyfisëshe të Judës. Ai filloi t’i merrte qytetet e Judës një e nga një. Por qyteti që donte më shumë të pushtonte, ishte Jerusalemi. Ama Senakeribi nuk e dinte se Jerusalemi mbrohej nga Jehovai.
Hezekia, mbreti i Judës, i pagoi Senakeribit një shumë të madhe parash që të mos e prekte Jerusalemin. Ndonëse Senakeribi i mori paratë, prapë e dërgoi ushtrinë e tij të fuqishme që ta sulmonte Jerusalemin. Njerëzit në qytet i zuri frika, sepse asirianët po afroheshin gjithnjë e më shumë. Prandaj Hezekia u tha: ‘Mos kini frikë. Asirianët janë të fortë, por Jehovai do të na bëjë edhe më të fortë se ata.’
Senakeribi çoi të dërguarin e tij, rabshakehun, në Jerusalem që të tallej me popullin. Rabshakehu qëndroi jashtë mureve të qytetit dhe bërtiste: ‘Jehovai nuk ju ndihmon dot. Mos e lini Hezekinë t’ju mashtrojë. S’ka zot që t’ju mbrojë nga ne.’
Hezekia pyeti Jehovain se çfarë duhej të bënte. Jehovai iu përgjigj: ‘Mos iu frikëso fjalëve të rabshakehut. Senakeribi nuk do ta marrë Jerusalemin.’ Më vonë, Hezekia mori disa letra nga Senakeribi. Letrat thoshin: ‘Dorëzohu! Jehovai s’të shpëton dot.’ Hezekia u lut: ‘Të lutem, o Jehova, na shpëto, që të gjithë ta dinë se vetëm ti je Perëndia i vërtetë.’ Jehovai i tha: ‘Mbreti i Asirisë nuk do të hyjë në Jerusalem. Unë do ta mbroj qytetin tim.’
Senakeribi ishte i sigurt se Jerusalemi së shpejti do t’i përkiste atij. Por një natë, Jehovai dërgoi një engjëll te kampi i asirianëve jashtë qytetit.
Engjëlli vrau 185.000 ushtarë. Mbreti Senakerib humbi ushtarët e tij më të fortë. S’kishte ç’të bënte tjetër, veçse të kthehej në shtëpi i mundur. Jehovai e mbrojti Hezekinë dhe Jerusalemin, ashtu siç kishte premtuar. Nëse do të kishe qenë në Jerusalem në atë kohë, a do t’i kishe besuar Jehovait?«Engjëlli i Jehovait zë vend rreth atyre që e nderojnë thellësisht Atë dhe i shpëton.»—Psalmi 34:7