MËSIMI 13
Jakobi dhe Esau pajtohen
Jehovai i premtoi Jakobit se do ta mbronte ashtu siç kishte bërë me Abrahamin dhe Isakun. Jakobi jetoi në një vend që quhej Haran. Atje u martua, u bë me familje të madhe dhe me pasuri.
Një ditë, Jehovai i tha Jakobit: ‘Kthehu në vendin tënd.’ Prandaj Jakobi me familjen mori rrugën e gjatë të kthimit. Rrugës, shërbëtorët e tij erdhën e i thanë: ‘Po vjen vëllai yt, Esau, dhe me vete ka 400 burra!’ Jakobi kishte frikë se mos Esau i bënte keq atij dhe familjes, prandaj iu lut Jehovait: ‘Të lutem, më shpëto nga vëllai im.’ Ditën tjetër Jakobi i dërgoi Esaut si dhuratë shumë dele, dhi, lopë, deve dhe gomarë.
Gjatë natës, kur Jakobi ishte vetëm, pa një engjëll. Engjëlli nisi të kacafytej me të dhe përleshja vazhdoi deri në mëngjes. Edhe pse Jakobi u dëmtua, nuk u dorëzua. Engjëlli i tha: ‘Më lër të iki.’ Por, që të sigurohej për mbështetjen e Jehovait, Jakobi ia ktheu: ‘Jo, nuk të lë, po s’më bekove.’
Më në fund, engjëlli e bekoi Jakobin. Tani Jakobi e dinte se Jehovai nuk do ta linte Esaun t’i bënte keq.
Në mëngjes Jakobi pa nga larg Esaun me 400 burrat. Jakobi doli përpara familjes së tij dhe u përkul shtatë herë para vëllait. Esau vrapoi për te Jakobi dhe e përqafoi.
Dy vëllezërit shpërthyen në lot dhe u pajtuan. Si mendon se u ndie Jehovai për mënyrën si e përballoi Jakobi këtë situatë?Më pas Esau u kthye në shtëpinë e tij dhe Jakobi vazhdoi rrugën. Jakobi pati gjithsej 12 djem. Ata ishin: Rubeni, Simeoni, Levi, Juda, Dani, Neftali, Gadi, Asheri, Isahari, Zabuloni, Jozefi dhe Beniamini. Njërin nga djemtë, Jozefin, Jehovai e përdori për të shpëtuar popullin e Tij. A e di si? Le ta zbulojmë.
«Vazhdoni të doni armiqtë tuaj e të luteni për ata që ju përndjekin, që të tregoni se jeni bij të Atit tuaj që është në qiej.»—Mateu 5:44, 45