Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 58

Shkatërrimi i Jerusalemit

Shkatërrimi i Jerusalemit

Sa e sa herë populli i Judës e braktisi Jehovain dhe adhuroi perëndi të rreme. Për shumë vjet, Jehovai u përpoq t’i ndihmonte. Ai dërgoi shumë profetë që t’i paralajmëronte, por ata nuk dëgjonin. Në vend të kësaj talleshin me profetët. Si i dha fund idhujtarisë së tyre Jehovai?

Mbreti i Babilonisë, Nabukodonosori, po i mposhte kombet njëri pas tjetrit. Herën e parë që pushtoi Jerusalemin, mori robër mbretin Jehojakin, princat, luftëtarët e fuqishëm dhe artizanët e i çoi të gjithë në Babiloni. Mori edhe tërë gjërat me vlerë të tempullit të Jehovait. Pastaj Nabukodonosori bëri mbret të Judës Zedekinë.

Në fillim, Zedekia iu bind Nabukodonosorit. Por kombet fqinje dhe profetët e rremë e këshilluan Zedekinë të rebelohej kundër Babilonisë. Jeremia e paralajmëroi: «Nëse rebelohesh, do të ketë vrasje, zi buke dhe sëmundje në Judë.»

Pasi mbretëroi për tetë vjet, Zedekia vendosi të rebelohej kundër Babilonisë. Ai i kërkoi ndihmë ushtrisë egjiptiane. Atëherë, Nabukodonosori dërgoi ushtrinë e tij për ta sulmuar Jerusalemin, e cila fushoi rreth e qark qytetit. Jeremia i tha Zedekisë: «Jehovai thotë se, nëse i dorëzohesh Babilonisë, do të shpëtosh edhe ti, edhe qyteti. Por, në të kundërt, Babilonia do t’i vërë zjarrin Jerusalemit dhe ty do të të marrin si të burgosur.» Zedekia ia ktheu: «Nuk do të dorëzohem.»

Një vit e gjysmë më vonë, ushtria e Babilonisë çau murin e Jerusalemit dhe i vuri zjarrin qytetit. Dogjën tempullin, vranë shumë njerëz dhe morën mijëra robër.

Zedekia ia mbathi nga Jerusalemi, por babilonasit iu qepën pas. Ata e kapën afër Jerikosë dhe ia çuan Nabukodonosorit. Në fillim mbreti i Babilonisë ia vrau bijtë para syve. Pastaj e verboi dhe e futi në burg, ku më vonë vdiq. Por Jehovai i premtoi popullit të Judës: «Pas 70 vjetësh, do t’ju kthej në vendin tuaj, në Jerusalem.»

Çfarë do t’u ndodhte të rinjve që ishin çuar në Babiloni? A do t’i qëndronin besnikë Jehovait?

«O Perëndi Jehova, o i Plotfuqishëm, të vërteta dhe të drejta janë vendimet e tua gjyqësore!»​—Zbulesa 16:7