Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

MËSIMI 57

Jehovai dërgon Jereminë për të predikuar

Jehovai dërgon Jereminë për të predikuar

Jehovai e zgjodhi Jereminë që të ishte profet për popullin e Judës. Ai i tha t’i predikonte popullit dhe t’i paralajmëronte që të mos bënin më të këqija. Jeremia tha: ‘O Jehova, unë s’jam veçse një djalosh. Nuk di t’i flas popullit.’ Jehovai e siguroi: ‘Mos ki frikë. Do të të tregoj unë ç’të thuash. Do të të ndihmoj unë.’

Po ashtu, Jehovai i tha Jeremisë të mblidhte pleqtë e popullit, të thyente para tyre një poç balte dhe të thoshte: ‘Kështu do të thyhet edhe Jerusalemi.’ Kur Jeremia bëri si i tha Jehovai, pleqtë u nxehën shumë. Një prift që quhej Pashkur, e rrahu dhe ia vuri këmbët dhe duart në fallaka. Gjithë natën, Jeremia s’mund të lëvizte. Në mëngjes Pashkuri e la të lirë. Jeremia tha: ‘Nuk mundem më. Nuk do të predikoj më.’ Por, a u dorëzua vërtet Jeremia? Jo. Kur u mendua pak më mirë, tha: ‘Mesazhi i Jehovait është si zjarr brenda meje. Nuk pushoj dot së predikuari.’ Jeremia vazhdoi ta paralajmëronte popullin.

Kaluan vite dhe Juda pati një mbret tjetër. Priftërinjtë dhe profetët e rremë e urrenin mesazhin e Jeremisë. Ata u thanë princave: ‘Ky njeri e ka hak vdekjen.’ Jeremia iu përgjigj: ‘Nëse më vritni, do të vritni një njeri të pafajshëm. Unë them fjalët e Jehovait, nuk flas nga vetja.’ Kur princat e dëgjuan këtë, u shprehën: ‘Ky njeri nuk e ka fare hak vdekjen.’

Jeremia vazhdoi të predikonte, prandaj princat u zemëruan shumë. I kërkuan mbretit që Jeremia të vritej. Mbreti u tha se mund të bënin çfarë të donin me të. Ata e kapën Jereminë dhe e hodhën në një pus të thellë me llucë, duke shpresuar se do të vdiste atje. Jeremia filloi të zhytej në llucë.

Atëherë një zyrtar oborri që quhej Ebed-Melek i tha mbretit: ‘Princat e kanë hedhur Jereminë në pus. Po e lamë atje, do të vdesë.’ Mbreti e urdhëroi Ebed-Melekun të merrte me vete 30 burra dhe ta nxirrte nga pusi Jereminë. A nuk duhet të jemi si Jeremia, i cili nuk lejoi asgjë ta ndalte së predikuari?

«Për shkak të emrit tim, të gjithë do t’ju urrejnë, por ai që qëndron deri në fund, do të shpëtojë.»—Mateu 10:22