PJESA 3
Si t’i zgjidhni problemet?
«Kini dashuri të zjarrtë për njëri-tjetrin, sepse dashuria mbulon një shumicë mëkatesh.»—1 Pjetrit 4:8
Ndërsa filloni jetën bashkë, do të lindin probleme të ndryshme. Ato mund të lindin sepse ndryshoni në mënyrën si mendoni, si ndiheni dhe si e konceptoni jetën. Ose mund të vijnë nga faktorë të jashtëm dhe ngjarje të papritura.
Mund të tundohesh ta shmangësh realitetin, por Bibla na këshillon të përballemi me problemet. (Mateu 5:23, 24) Duke zbatuar parimet biblike, do të gjesh zgjidhjet më të mira për to.
1 FOL PËR PROBLEMIN
ÇFARË THOTË BIBLA: «Ka . . . një kohë për të folur.» (Eklisiastiu 3:1, 7) Sigurohu që të mos i biesh shkurt kur flet për problemin. Tregoji me sinqeritet bashkëshortit si ndihesh dhe çfarë mendon për atë çështje. Gjithmonë ‘thuaji të vërtetën’. (Efesianëve 4:25) Edhe kur përfshihen ndjenja të forta, përmbahu që të mos grindeni. Përgjigjja e butë bën që një bisedë e thjeshtë të mos kthehet në betejë.—Proverbat 15:4; 26:20.
Edhe nëse nuk je dakord, sillu gjithnjë me hir, pa harruar asnjëherë të tregosh dashuri e respekt për bashkëshortin. (Kolosianëve 4:6) Përpiqu ta zgjidhësh problemin sa më shpejt të jetë e mundur dhe mos resht së komunikuari.—Efesianëve 4:26.
JA Ç’MUND TË BËSH:
-
Gjej kohën e duhur për të folur për problemin
-
Kur ai ose ajo flet, mos e ndërprit. Do të të vijë edhe ty radha për të folur
2 DËGJO DHE KUPTO
ÇFARË THOTË BIBLA: «Kini për njëri-tjetrin përzemërsi të butë. . . . Jini të parët për t’i treguar nderim njëri-tjetrit.» (Romakëve 12:10) Mënyra si dëgjon është shumë e rëndësishme. Përpiqu të kuptosh këndvështrimin e bashkëshortit me ‘ndjenja të përbashkëta dhe mendje të përulur’. (1 Pjetrit 3:8; Jakovi 1:19) Mos bëj sikur po dëgjon. Kur është e mundur, lëre mënjanë punën që ke në dorë dhe kushtoji vëmendje të plotë bashkëshortit ose pyete nëse mund të flisni më vonë. Nëse e konsideron si shok skuadre dhe jo si kundërshtar, ‘nuk do të fyhesh shpejt’.—Eklisiastiu 7:9.
JA Ç’MUND TË BËSH:
-
Dëgjo vazhdimisht me mendje të hapur, edhe nëse nuk të pëlqen ajo që po dëgjon
-
Përpiqu të kuptosh mesazhin prapa fjalëve. Kushtoju vëmendje gjesteve të bashkëshortit dhe tonit të zërit
3 VEPRONI SIÇ KENI VENDOSUR
ÇFARË THOTË BIBLA: «Nga çdo lloj mundi ka përfitim, ndërsa llomotia e buzëve sjell veç skamje.» (Proverbat 14:23) Nuk mjafton vetëm të bini dakord për një zgjidhje të mirë. Duhet të veproni siç keni vendosur të dy. Ndoshta kjo kërkon shumë punë e përpjekje, por ia vlen. (Proverbat 10:4) Nëse bashkëpunoni si skuadër, do të keni «një shpërblim të mirë» për mundin tuaj.—Eklisiastiu 4:9.
JA Ç’MUND TË BËSH:
-
Vendosni çfarë hapash praktikë do të bëjë secili prej jush për ta zgjidhur problemin
-
Herë pas here, mendo ç‘përmirësim ke bërë