Çfarë është e ligjshme të bëhet të shtunën?
Kapitulli 32
Çfarë është e ligjshme të bëhet të shtunën?
NJË të shtunë tjetër, Jezui viziton një sinagogë afër Detit të Galilesë. I pranishëm është një burrë me dorën e djathtë të tharë. Skribët dhe farisenjtë po shikojnë me kujdes për të parë nëse Jezui do ta shërojë apo jo. Më në fund ata pyesin: «A është e ligjshme të shërosh të shtunën?»—BR.
Krerët fetarë judenj besojnë se shërimi të shtunën është i ligjshëm vetëm nëse është në rrezik jeta. Ata mësojnë, për shembull, se të shtunën nuk është e ligjshme të vësh në vend një kockë ose të fashosh një gjymtyrë të ndrydhur. Prandaj, skribët dhe farisenjtë i bëjnë pyetje Jezuit në përpjekje për të gjetur ndonjë akuzë kundër tij.
Por, Jezui i njeh arsyetimet e tyre. Në të njëjtën kohë, ai e kupton se ata kanë adoptuar një pikëpamje ekstremiste dhe jobiblike lidhur me atë që përbën dhunim të ligjit të së shtunës, i cili nuk e lejon punën. Prandaj Jezui përgatit terrenin për një ballafaqim dramatik, duke i thënë burrit me dorë të tharë: «Çohu dhe eja në qendër.»—BR.
Tani, duke iu drejtuar skribëve dhe farisenjve, Jezui thotë: «A ka ndonjë prej jush që ka një dele dhe ajo bie në gropë ditën e shtunë dhe ai nuk shkon ta nxjerrë jashtë?» Pasi një dele përfaqëson një investim financiar, ata nuk do ta linin atë në gropë deri ditën tjetër, duke rrezikuar që të sëmurej dhe t’u shkaktonte humbje. Përveç kësaj, Shkrimet thonë: «I drejti kujdeset për jetën e bagëtisë së tij.»
Duke bërë një krahasim, Jezui vazhdon: «E pra, sa më shumë vlen një njeri sesa një dele! Prandaj është e ligjshme të bësh një gjë të shkëlqyer të shtunën.» (BR) Krerët fetarë nuk e hedhin dot poshtë një arsyetim kaq të logjikshëm dhe të dhembshur, prandaj qëndrojnë të heshtur.
I indinjuar, por njëkohësisht duke ndier dhimbje për budallallëkun e tyre prej kryeneçi, Jezui shikon përreth, pastaj i thotë burrit: «Shtrije dorën tënde.» Ai e shtrin dhe dora i shërohet.
Në vend se të jenë të lumtur që burrit iu shërua dora, farisenjtë dalin jashtë dhe menjëherë komplotojnë me anëtarët e partisë së Herodit për të vrarë Jezuin. Me sa duket, në këtë parti politike bëjnë pjesë edhe anëtarë të grupit fetar të saducenjve. Zakonisht, kjo parti politike dhe farisenjtë e kanë kundërshtuar hapur njëri-tjetrin, por tani ata janë bashkuar plotësisht për t’iu kundërvënë Jezuit. Mateu 12:9-14; Marku 3:1-6; Luka 6:6-11; Proverbat 12:10; Eksodi 20:8-10.
▪ Në cilat rrethana zhvillohet ballafaqimi dramatik midis Jezuit dhe krerëve fetarë judenj?
▪ Çfarë besojnë këta krerë fetarë lidhur me shërimin ditën e shtunë?
▪ Çfarë ilustrimi përdor Jezui për të hedhur poshtë pikëpamjet e tyre të gabuara?