Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Hapi 1—Zgjidheni ushqimin me mençuri

Hapi 1—Zgjidheni ushqimin me mençuri

«Ushqehuni mirë. Mos e teproni. Hani kryesisht ushqime bimore.» Me këto pak fjalë, autori Majkëll Polan përmblodhi këshilla të thjeshta e të provuara nga koha. Çfarë donte të thoshte?

Hani ushqime të freskëta. Hani sa më tepër ushqime «të vërteta»​—të papërpunuara e të freskëta që njerëzit i kanë shijuar për mijëra vjet—​e jo ushqime të gatshme që shiten sot. Ushqimet gjysmë të gatshme që blihen në dyqane dhe ato të lokaleve fast food zakonisht janë plot me sheqer, kripë e yndyrna që mund të çojnë në sëmundje të zemrës, iktus, kancer e të tjera probleme shëndetësore të rënda. Gjatë gatimit, mos skuqni, por gatuani me avull ose piqni në furrë a në skarë. Mundohuni të përdorni më tepër erëza që të pakësoni kripën. Sigurohuni që mishi të gatuhet mirë dhe kurrë mos vini në gojë ushqime të prishura.

Mos e teproni. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, numri i njerëzve mbipeshë dhe të dhjamosur po merr përmasa alarmante në mbarë botën, shpesh si pasojë e teprimit në të ngrënë. Një studim zbuloi se në disa pjesë të Afrikës «ka më shumë fëmijë mbipeshë sesa të kequshqyer». Fëmijët e dhjamosur rrezikojnë të kenë probleme me shëndetin sot dhe në të ardhmen, ku përfshihet edhe diabeti. Prindër, lëruni një shembull të mirë fëmijëve duke ngrënë me karar.

Hani kryesisht ushqime bimore. Një vakt i ekuilibruar përfshin një larmi frutash, zarzavatesh e drithërash të papërpunuara, e jo shumë mish dhe brumëra. Një a dy herë në javë përpiquni ta zëvendësoni mishin me peshk. Hani sa më pak ushqime të përpunuara, si makarona, bukë të bardhë dhe oriz të rafinuar, të cilat kanë humbur pjesën më të madhe të vlerës ushqyese. Shmangni ato dieta që janë në modë sot, por vënë në rrezik shëndetin. Prindër, ruajeni shëndetin e fëmijëve duke i mësuar të shijojnë ushqime të shëndetshme. Për shembull, kur duan të hanë diçka mes vakteve, mos u jepni patatina e ëmbëlsira, por fruta të thata ose zarzavate e fruta të freskëta të lara mirë.

Pini shumë lëngje. Të mëdhenj e të vegjël kanë nevojë të pinë çdo ditë shumë ujë dhe pije të paëmbëlsuara. Kur është vapë ose kur bëni punë të rënda fizike a fizkulturë, duhet të pini edhe më tepër. Këto lëngje lehtësojnë tretjen, pastrojnë trupin nga helmet, e bëjnë më të shëndetshme lëkurën dhe ndihmojnë të bini në peshë. Kështu mund të dukeni më mirë dhe të jeni në formë. Bëni kujdes të mos e teproni me alkoolin dhe pijet e ëmbëlsuara. Mund të shtoni nja 7 kile në vit, nëse pini përditë një shishe të vogël pije të gazuar.

Në disa vende, duhet të derdhësh djersë e pará që të sigurosh ujë të pijshëm. Por uji është jeta. Nëse është i ndotur, duhet zier ose trajtuar me kimikate. Sipas të dhënave, uji i ndotur shkakton më shumë viktima se luftërat a tërmetet dhe vret 4.000 fëmijë në ditë. Organizata Botërore e Shëndetësisë këshillon që foshnjat të ushqehen vetëm me gji gjashtë muajt e parë të jetës, e pastaj të shtohen disa ushqime të tjera të paktën deri në moshën dyvjeçare.